Ballina Kosova

Juncker: Demarkacioni hap kyç për liberalizimin e vizave

PRISHTINË, 28 Shkurt/ATSH/.- Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, deklaroi të mërkurën në Prishtinë se “është esenciale që Kuvendi i Kosovës të votojë së shpejti Demarkacionin e kufirit të përbashkët me Malin e Zi, është një hap kyç, i pashmangshëm dhe i rëndësishëm drejt regjimit të liberalizimit të vizave, ku bashkëqytetarët tuaj shqiptarë e serbë do të jenë përfituesit e parë”.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin Hashim Thaçi, presidenti Juncker theksoi se “të gjitha përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të thellohen më tej. Jam i bindur dhe Presidenti

Thaçi na dorëzoi sot disa dokumente që Komisioni do të jetë në gjendje të propozojë liberalizimin e vizave”.
“Nuk më kënaq ideja që kosovarët janë në rajon dhe Europë të vetmit që nuk mund të udhëtojnë lirshëm, ata janë qytetarë sitë tjerët dhe duhet të kenë të njëjtat të drejta me kusht që çështja e demarkacionit të zgjidhet si de të arrihen hapa konkretë në luftën kundër korrupsionit”, nënvizoi Juncker.

Duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Juncker tha se “ne duam që marrëdhëniet me Kosovës dhe Serbisë të vihen në një bazë të re, është themelore që kosovarët e serbët të gjejnë një marrëveshje mes tyre që të jetë juridikisht detyruese për të ecur së bashku drejt Europës”.

Thaçi: Pas ratifikimit të Demarkacionit i jepet fund izolimit të qytetarëve të Kosovës

Presidenti Hashim Thaçi deklaroi se “prezenca juaj sot është dëshmi e qartë e përkushtimit të i Bashkimit Europian për Kosovën dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Vizita juaj i jep kuptim të plotë dhe mbështetje të palëkundur përpjekjeve tona dhe të qytetarëve për të bërë hapa të shpejtë dhe të vendosur në rrugën tonë për anëtarësim në BE”.

“Ne sot, së bashku me kryeparlamentarin Veseli, kryeministrin Haradinaj, zëvendësministrat Pacolli dhe Jevtiq zhvilluam takim mjaft përmbajtësor dhe produktiv. Në këtë takim, në emër të qytetarëve, i përcolla presidentit Juncker dhe anëtarëve tjerë të delegacionit të BE-së një mesazh të qartë. Në 10 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, Kosova është krenare dhe mirënjohëse që procesi ynë i shtetndërtimit është bërë në përputhje me vlerat dhe praktikat më të mira të BE-së”, nënvizoi Thaçi.

Vlerat europiane, vijoi ai, janë të mishëruara në shoqërinë tonë dhe rrjedhimisht në Kushtetutën dhe ligjet tona.
“Kosova është krenare që procesi i ynë shtet ndërtimit është bërë në përputhje të vlerave me të mira dhe praktikave europiane. BE është pjesë përbërëse e historisë sonë të re, përkushtimi i sotëm dhe synim i pashmangshëm i së ardhmes sonë . Argumenti më i fuqishëm i këtij partneriteti është nënshkrimi i marrëveshjes së stabilizim asociimit me BE-në”, theksoi Thaçi.

Lidhur me Strategjinë e Zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, Thaçi u shpreh se “e kam mirëpritur publikimin e strategjisë së re dhe dua të falenderoj të gjitha institucionet e BE që kanë punuar në hartimin e saj, por mbi të gjitha presidentin Juncker. Kjo strategji ndër të tjera ka rikonfirmuar dy gjëra tepër të rëndësishme, së pari, ka konfirmuar të ardhmen e sigurt dhe anëtarësimin e Kosovës në BE, ashtu siç ka bërë me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

Ndërsa lidhur me dialogun e Kosovës me Serbinë , Thaçi tha se “dialogu është një proces shumë i vështirë, por mbetet rruga e vetme për t’i dhënë fund konfliktit një shekullor mes Kosovës e Serbisë”.
“Kosova është e përcaktuar për paqe dhe bashkëpunim ndër fqinjësor. Prandaj mbetemi të përkushtuar në procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, shtoi ai.

Kreu i shtetit tha se dialogu është rruga e vetme që çon dy vendet tona përpara.

Ndërsa lidhur me liberalizimin e vizave, Thaçi tha se të gjithë e kemi të qartë sot se përse Kuvendi nuk arriti të ratifikojë marrëvshjen për kufirin me Malin e Zi. Nuk do të komentoj këtu asgjë sepse jam i bindur se marrëveshja do të ratifikohet në ditët e ardhshme. Në momentin që kjo do të ndodhë jam i bindur se Presidenti Juncker bashkë me institucionet e tjera të BE do të bëjnë punën e tyre dhe do të marrin vendimet e duhura dhe do t’i japin fund izolimit të qytetarëve të Kosovës”./k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – BE i kërkon Rusisë, Iranit dhe Turqisë sigurimin e armëpushimit në Siri
Artikulli tjetërKosovë- Demarkacioni, shtyhet seanca e jashtëzakonshme parlamentare