TIRANË, 27 Shkurt/ATSH/.- Këshilli i Legjislacionit rrëzoi sot kërkesën e opozitës për ndryshime kushtetuese lidhur me zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.
Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut zhvilluan mbledhjen e përbashkët mes tyre, për të diskutuar nen për nen propozimin e paraqitur nga PD-LSI për ndryshime kushtetuese.
Para votimit deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi tha se duhet t’i ndërpritet mandati Kryeprokurores dhe Prokuroria e Përgjithshme duhet të kthehet në shinat e ligjit. “Kryeprokurorin e ri ta kalojmë në vetting dhe ta zgjedhim me 3/5 e votave në Kuvend. Askush nuk e di nëse Kryeprokurorja aktuale e kalon vettingun. Sapo KLP të ngrihet siç duhet, zgjedhim Kryprokurorin e përkohshëm. Ky është një test për mazhorancën nëse do drejtësi të pavarur”, tha ai.
Ndërkohë, deputetët e maxhorancës e konsideruan strategji për të penguar reformën në drejtësi këtë kërkesë, ndërsa argumentuan zgjedhjen konform Kushtetutës së Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme.
Sipas deputetit të PS-së, Alket Hyseni “Prokurori i përkohshëm u zgjodh në mënyrë transparente dhe kushtetuese”. “Prokurori i Përgjithshëm, sipas kërkesës së PD-së, i bie të zgjidhet në fund të korrikut, ndërkohë që opozita flet për ngërç që nuk ekziston. Propozimi është një strategji për të penguar reformën në drejtësi”, tha ai./m.m/























