SHKUP, 26 shkurt /ATSH-MIA/ – Nën ndikimin e valës së të ftohtit siberian, që nga lindja e kontinetit europian u shpërnda drejt Gadishullit Ballkanik, i gjithë rajoni është përfshirë nga temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës, që ra edhe në pjesë të bregdetit të Adriatikut.
Sipas Entit Hidrometeorologjik të Malit të Zi, më shumë borë në Mal të Zi ka rënë në Zhabljak ku është formuar një shtresë prej 97 centimetrash, ndërsa dëborë ka edhe në Podgoricë, Cetinjë, Kolashin, Shavnik, Rozhajë, Andrijavicë, Bijelo Polje dhe Plevlajë.
Dëborë ka rënë mbrëmë edhe në portin malazez të Tivarit, e cila shpejt është shndërruar në shi.
Drejtoria për Gjendjet e Jashtëzakonshme në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme i ftoi të gjitha institucionet ta rrisin nivelin e gatishmërisë para fillimit të valës së të ftohtit.
Dëborë ka rënë edhe në pjesën më të madhe të Kroacisë, ku autoritetet e gjithë vendit kanë shpallur alarm të verdhë për rrezik nga moti i keq
Në Kroacinë kontinentale janë matur temperatura në minus 17 deri në tre gradë Celsius, ndërsa në bregdetin e Adriatikut nga minus katër në katër gradë Celsius.
Trashësia më e madhe e dëborës prej 232 centimetrash është formuar në Zavizhan, në Dellnicë 149, në Liqenet e Plitvicës 115, në Ogulin 92, Gospiq 81, dhe në Slunj 75 centimetra.
Pjesa më e madhe e Bosnje-Hercegovinës gjithashtu është mbuluar me dëborë, ku shtresa më e madhe e saj ishte 183 centimetra, në Bjellashnicë.
Në këtë rajon është matur edhe temperaturë nga minus 16 gradë Celsius, në Han Pjesak nga minus 11, në Tuzlë minus gjashtë, Banja Llukë dhe Sarajevë me nga minus pesë dhe në Mostar një shkallë mbi zero.
Dëborë nga mbrëmë po bie edhe në gjithë Serbinë, ku gjithashtu janë matur temperatura nën zero.
Dëbora ka shkaktuar probleme në rrjedhën e komunikacionit në pjesën më të madhe të Ballkanit, para së gjithash në vendet më të larta. Deri më tani nuk ka informacione për viktima nga moti i keq.
Meteorologët paralajmërojnë se moti shumë i ftohtë, i paraprirë me temperatura të ulëta dhe reshje të dëborës, do të vazhdojë gjatë gjithë javës./ a.jor.























