350 pemë të reja i shtohen Elbasanit

ELBASAN, 23 Shkurt/ATSH/.- 350 pemë të reja i janë shtuar hapësirave të gjelbra të qytetit të Elbasanit në kuadër të javës së pyllëzimit.

Bashkia e Elbasanit në bashkëpunim me institucione të tjera vendore dhe shoqata nisi aksionin e pyllëzimit i cili do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.

Punonjësit e bashkisë u ndanë në pika të ndryshme të qytetit për të dhënë kontributin e tyre për mbjelljen e pemëve.

Nënkryetari i Bashkisë Klevis Xhoxhi bashkë me përfaqësues të Inspektoriatit të Mjedisit nisën mbjelljen e pemëve në rrugën “Borodin Mitarja”.

Sipas Xhoxhit, përveç pyllëzimit në çdo cep të Bashkisë Elbasan, gjithashtu qytetit do t’i shtohen tre lulishte të reja. “Bashkia e Elbasanit ka marrë masat që të pyllëzohet i gjithë qyteti. Një falenderim i veçantë shkon për të gjithë institucionet dhe shoqatat të cilat i janë bashkangjitur kësaj nisme për pyllëzimin dhe mbjelljen e pemëve në qytetin e Elbasanit. E veçanta e kësaj jave është që Bashkisë së Elbasanit i shtohen edhe tre lulishte të reja, konkretisht një lulishte tek kthesa e Krastës, një lulishte në unazën lindore të qytetit dhe një tek kryqëzimi i Cërrikut”, tha ai.

Nënkryetari i Bashkisë u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, që gjatë këtij muaji dhe gjatë kësaj jave të mbjellin sa më shumë bimë, sa më shumë pemë për një gjelbërim dhe një mjedis sa më të pastër për të gjithë./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.