Skema e re e ndihmës ekonomike përjashton abuzuesit

TIRANË, 17 Shkurt /ATSH- I. Vata/ – “Skema e re e ndihmës ekonomike është transparente dhe garanton që pagesa të shkojë tek familjet më në nevojë duke përjashtuar abuzuesit dhe përfituesit e padrejtë”, deklaroi sot zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bardhylka Kospiri.

Kospiri theksoi se skema është e hapur për të gjithë aplikantët dhe bazohet në regjistrin elektronik duke ndërvepruar me sistemet e tjera.

Më tej ajo shpjegoi se ka përfunduar faza e parë e aplikimeve për të përfituar nga skema e re e ndihmës ekonomike. “Kjo skemë është transparente dhe synimin kryesor e ka të targetojë familjet më të varfra, duke shmangur abuzivizmin e mëparshëm. Në këto kushte kjo skemë është e hapur për të aplikuar të gjithë duke shmangur kriteret kufizuese të mëparshme. Tashmë kemi 18 mijë aplikime të reja më këtë skemë, duke mos pasur më kufizime të disa kritereve, si vendbanimi, etj”, tha Kospiri.

Po ashtu, Kospiri tha se skema bazohet në një regjistër elektronik i cili është i lidhur me gjithë sistemet online, të gjendjes civile, transportit, pronave, etj. Këto sisteme, sipas saj, duke ndërvepruar me sistemin tonë, nxjerrin abuzuesit dhe përjashtojnë ata që kanë përfituar në mënyrë të padrejtë.

Zv.ministrja shpjegoi edhe mënyrën e aplikimit. “Formulari duhet plotësuar me vërtetësi dhe ky është hapi i parë për të përfituar”, theksoi ajo.

Kospiri tha se faza e parë është verifikimi rast pas rasti dhe pastaj bëhet verifikimi në terren.

“Verifikimi në familje ka nxjerrë realisht ato familje të varfëra që nuk përfitojnë aktualisht. Por këto familje përfitojnë nga skema e re e bashkive. Fondi i bashkive për këtë skemë llogaritet 6% nga 3% që ishte më parë”, tha Kospiri.

E pyetur për masën e asistencës me 8 mijë lekë se a është e mjaftueshme, Kospiri tha se është e pa mjaftueshme por 3 herë më e lartë sa ç’ishte si dhe përfitojnë edhe nga drejtime të tjera. “Masa aktuale është 2-3 herë me e lartë nga sa ishte, por këto familje përfitojnë nga shteti në disa drejtime, sepse fëmijët e tyre janë të përjashtuar nga detyrimi në shkollë, marrin një pagë plus për fëmijët që ndjekin shkolla”, tha Kospiri.

Duke folur për strategjinë kombëtare, Kospiri vuri në dukje se në skemën e vjetër kemi gjetur familje që përfitonin prej 10 vitesh. “Personat në skemën e ndihmës ekonomike janë të parët që përfitojnë punë nga programi i nxitjes së punësimit”, deklaroi Kospiri. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.