TIRANË, 17 Shkurt /ATSH- I. Vata/ -Presidenti Ilir Meta ka uruar sot Presidentin Thaçi me rastin e 10-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Në urimin e tij, Presidenti Meta shprehet se “me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë t’ju përcjell në emrin tim dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, urimet më të ngrohta vëllazërore”.
Duke folur për përparimin e Kosovës dhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe bashkëpunimin për integrimin euro-atlantike, Meta shprehet se “në këtë dekadë të parë si shtet i pavarur dhe sovran, ndajmë me ju krenarinë e përparimit të jashtëzakonshëm që Kosova ka bërë në të gjithë elementët shtetndërtues dhe të përfaqësimit të saj dinjitoz në botë. Jam gjithashtu i entuziazmuar që marrëdhëniet tona vëllazërore dhe ndërshtetërore janë në nivelet më të larta të bashkëpunimit, dhe janë konsoliduar në shtratin e integrimeve europiane dhe euro-atlantike, përkrah partnerëve tanë strategjikë.
Më tej, Meta shprehet se “kam bindjen e thellë se, vetëdija, pjekuria dhe përgjegjshmëria e lartë shtetërore që karakterizon institucionet dhe popullin e Kosovës do të mundësojnë një zhvillim edhe më të shpejtë e të shumëdëshiruar”.
Po ashtu, Presidenti Meta garanton Presidentin Thaçi se institucionet e Shqipërisë do mbështesin Kosovën.
Bushati: Festa e Kosovës është festë e mbarë kombit shqiptar
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka uruar sot Kosovën në 10 vjetorin e pavarësisë, duke theksuar se festa e Kosovës është festë e mbarë kombit shqiptar.
“Kosova 10! Urimet më të përzemërta Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj në 10- Vjetorin e Pavarësisë! 17 shkurti i vitit 2008 i dha jetë dëshirës së hershme të popullit të Kosovës, ëndrrës së luftëtarëve e martirëve dhe jetësoi mbështetjen e miqve e partnerëve të shumtë të Kosovës për liri, mëvehtësi, përparim e begati”, shprehet Bushati.
Më tej, Bushati shton se “në vetëm një dekadë, Kosova është transformuar rrënjësisht. Nga një entitet i nëpërkëmbur dhe me të drejta të shkelura sistematikisht në ish-Jugosllavi, ajo është kthyer sot në një hapësirë demokratike, multietnike dhe multikonfesionale, e cila aspiron drejt integrimit në hapësirën euro-atlantike”.
Ministri Bushati ka vënë theksin anëtarësimi i Kosovës në institucionet ndërkombëtare si një garanci për rajonin. “Vetëm në tre vitet e fundit, Kosova është anëtarësuar në një numër organizatash rajonale e ndërkombëtare, përfshi këtu pjesëmarrjen e saj me të drejta të plota në “MARRI”, në Fondin e Ballkanit Perëndimor, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si vëzhguese në Nismën e Evropës Qendrore dhe si kontribuese e angazhuar në Zyrën Rajonale të Bashkëpunimit Rinor. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për përfshirjen e Kosovës në të gjitha nismat rajonale e më gjerë, pasi përfshirja e saj është një garanci më shumë për sigurinë e stabilitetin rajonal”, shprehet Bushati.
Më tej, Bushati flet për dinamikën e reformave që kanë përfshirë Kosovën në konsolidimin e institucioneve. “Për momentin, Kosova, ashtu si i gjithë rajoni është përfshirë në një dinamike të re reformash të thella në drejtim të sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, avancimit të reformave në sektorin e shëndetësisë dhe arsimit, si dhe të zhvillimit ekonomik. Përgëzojmë Kosovën për përpjekjet e saj në drejtim të përafrimit e paqtimit të shoqërive e komuniteteve në rajonin tonë, në funksion të ndërtimit të një të ardhmeje në paqe e në siguri për qytetarët tanë”, tha ai.
Po ashtu Bushati çmonë kontributin e miqëve dhe aleatëve që mbështetën Kosovën në rrugën e saj të lirisë dhe të pavarësisë. “Ndërsa sot përulemi të gjithë me nderimin më të thellë përpara përpjekjeve shumëvjeçare të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, vlerësojmë po ashtu, mbështetjen e çmuar e të vazhduar të miqve e aleatëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe të gjitha vendeve që kontribuan në mbylljen e një prej kapitujve më të dhimbshëm të historisë bashkëkohore evropiane” pohon Bushati.
“Festa e Kosovës është festë e mbarë kombit shqiptar. Në këto 10 vite pavarësi, Shqipëria dhe Kosova kanë ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë e vëllazërore partneriteti strategjik. Projektet tona konkrete për heqjen e barrierave ekonomiko-tregtare, krijimin e lehtësirave të qarkullimit të kapitalit, mallrave dhe njerëzve, si dhe promovimin e përbashkët të gjuhës dhe kulturës shqiptare në botë, janë udhëzues për dhjetëvjeçarët e ardhshëm, pjesë e projektit të përbashkët evropian”, shkruan Bushati.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka uruar sot me rastin e 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
“Gëzuar ditëlindjen, Kosovë e lirë dhe e pavarur! ”, shkruan ministerja e Mbrojtjes, Olta Xhacka, duke postuar një foto të një djali që mbanë në dorë flamurin e Kosovës./a.g/
vijon….


























