TIRANE, 16 Shkurt /ATSH/- Rritja e numrit të lejeve të ndërtimit të akorduara dhe shfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese me një normë lehtësisht më të lartë se një vit më parë sugjerojnë për vazhdim të rritjes në aktivitetin ndërtues në vendin tonë, duke favorizuar rënie të çmimit të shitjes për banesat.
3-mujori III- Numri i lejeve në ndërtim u rrit në 310
Numri i lejeve të akorduara për sektorin e ndërtimit, vazhdoi të rritet në tremujorin e tretë duke regjistruar shifrën 310, nga 197 leje një tremujor më parë dhe nga 145 leje gjatë tremujorit
të tretë të një viti më parë. Pavarësisht se numri i lejeve të akorduara për ndërtesa për qëllime banimi është më i madh (rreth 208 leje), rritje ka shënuar edhe numri i lejeve të akorduara për ndërtesa të tjera (si hotele, ndërtesa për zyra, ndërtesa industriale e të tjera), në 102 leje nga 76 leje në tremujorin e mëparshëm.
Ulen çmimet e banesave dhe qirave
Banka e Shqpërisë publikoi raportin mbi ecurinë e treguesve ekonomik ku evidenton se, gjatë tremujorit të katërt, indeksi i çmimit të shitjes së banesave dhe indeksi i qirasë kanë vijuar të njëjtën prirje rënëse si tremujorin e kaluar. Indeksi i çmimit të banesave, i cili regjistroi rënie përgjatë tre tremujorëve të parë, ra me 1.4% në tremujorin e fundit të vitit.
Trendin rënës ka ndjekur edhe indeksi i qirasë së banesave. Pas rënies me 5.3% në tremujorin e tretë, regjistroi rënie më të lehtë me 2.1% në tremujorit e katërt, njoftoi BSH-ja.
Performanca e sektorit të ndërtimit pritet të mbetet pozitive edhe gjatë tremujorit të katërt, ndonëse me ritme më të ulëta.
Ndërkohë, niveli më i ulët i vlerësuar i investimeve publike dhe rënia e treguesit të besimit në ndërtim sinjalizojnë se rritja e sektorit do të jetë më e zbutur në tremujorin e fundit të vitit 2017. e.xh/ /a.g/





















