Ballina Kosova

Autostrada Kosovë-Maqedoni, do të rrisë bashkëpunimin ekonomik

PRISHTINË, 15 Shkurt/ATSH/.- Ndërtimi autostradës Kosovë-Maqedoni, synon të lehtësojë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave mes Prishtinës dhe Shkupit, si dhe të rrisë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Kështu u theksua gjatë takimit që ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, zhvilloi në Shkup me ministrin e Ekonomisë së Maqedonisë, Kreshnik Bekteshi.

Ministri Beqaj shpreson që edhe Maqedonia do të lëvizë shpejt në drejtim të ndërtimit të autostradës që lidh të dy vendet, pasi pala kosovare po punon me intensitet për përfundimin e autostradës deri në kufi.

“Kosova po bën një investim të madh dhe shpresoj që edhe Maqedonia të ketë qartësi ekonomike dhe politikë që të përfundojë këtë rrugë sa më shpejtë”, tha Beqaj.

Ministri Beqaj dhe Bekteshi biseduan në lidhje me bashkëpunimin bilateral në fushën e zhvillimit ekonomik, të shkëmbimeve tregtare, mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, si dhe për iniciativën për marrëveshje të bashkëpunimit në fushën e Inovacionit dhe ndërmarrësisë.

“Kosova dhe Maqedonia kanë raporte të mira ekonomike, për avancimin e të cilave infrastruktura luan rol shumë të rëndësishëm”, tha Beqaj pas takimit.

Ndërsa ministri maqedonas Bekteshi e njohu Beqajn me masat e planit për rritje ekonomike të qeverisë maqedonase, e cila përcakton prioritetet kryesore të politikave për periudhën e ardhshme dhe që pritet të rrisin investimet private, krijimin e vendeve të punës, rritjen e efikasitetit, produktivitetit dhe konkurrencës së sektorit privat, rritjen e eksporteve dhe bashkëpunimit ekonomik rajonal, si dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve”.

Të dy ministrat në takim bashkëbiseduan edhe për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive dhe për mundësinë e inicimit të marrëveshjes në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë.

Beqaj gjatë qëndrimit në Maqedoni u takua edhe me drejtorin e Bankës Botërore për Maqedoninë dhe Kosovën Marko Mantovanelli, me të cilin bashkëbisedoi në lidhje me mundësinë e përkrahjes nga Banka Botërore për Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Beqaj vizitoi edhe Qendrën e Inovacionit në Shkup ku u njoh me punën e saj, me qëllim të marrjes së praktikave të mira të funksionimit, si dhe eksperiencën në ndarjen e fondeve./k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSOFJE – Ballkani Perëndimor në qendër të takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së
Artikulli tjetërSHKUP – Zaev: Pajtueshmëritë për tre nga shtatë çështje me Athinën nxitje për emrin