TIRANË, 13 Shkurt/ATSH/.- Reshjet e dëborës kanë përfshirë mëngjesin e sotëm veriun dhe lindjen e vendit .
Ulja e temperaturave është karakterizuar me reshje dëbore në veri dhe lindje të Shqipërisë në lartësitë mbi 500 metër.
Mëngjesin e sotëm qyteti i Pukës dhe pjesa më e madhe e territorit të kësaj bashkie po karakterizohen nga reshjet e dëborës.
“Aktualisht nuk ka probleme, ndërkohë ne po monitorojmë situatën. Reshjet pritet të jenë prezent për gjatë gjithë ditës së sotme”, bën të ditur bashkia e Pukës.
Edhe në qarkun e Dibrës vijojnë reshjet e dëborës, të cilat po bien me intensitet të lartë.
Mësohet se vijojnë të jenë të izoluara disa zona si Trebisht, Lurë, Kala e Dodës, Ostren dhe Selishtë, ndërsa trashësia e dëborës ka arritur në 70 centimetra.
Nga rrëshqitja e dheut është bllokuar edhe dogana e Trebishtit, e cila lidh zonën e Gollobordës me Maqedoninë.
Edhe në zonën e Thethit, në Shkodër dhe zona të tjera të thella në Dukagjin ka reshje të dendura dëbore./k.s/ /a.g/























