Ballina Kulturë

Sanremo 2018- Triumfojnë Ermal Meta dhe Fabrizio Moro

TIRANË, 11 Shkurt/ATSH/.- Këngëtari i njohur shqiptar Ermal Meta dhe ai italian Fabrizio Moro  me këngën “Non mi avete fatto niente”, janë triumfuesit e Festivalit të 68-të të Sanremos.

“Një emocion i papërshkrueshëm”, thotë Ermal Meta i cili ia kushton fitoren Mescalit, shtëpisë së tij diskografike që besoi tek mua kur askush tjetër nuk e bëri”.

Kënga është një himn kundër terrorizmit dhe në tekstin e saj përfshihen shumë raste të ndodhura në të shkuarën, por që lajtmotiv mbetet vargu “nuk më keni bërë asgjë”, që përbën edhe titullin e saj.

Tashmë është publikuar edhe videoklipi i këngës, që ilustron në imazhe qytetet e rrënuara nga bombardimet, homazhet e njerëzve në vendngjarje dhe fëmijët e vegjël, si simbol i mosmposhtjes.

Për të tretin vit radhazi kantautori shqiptar Ermal Meta u ngjit në skenën e teatrit Ariston, por kësaj here në një duet me këngëtarin e njohur italian Fabrizio Moro. Kënga e tyre me titull “Non mi avete fatto niente”, përcjell një temë mjaft të rëndësishme e aktuale siç është frika ndaj rrezikut terrorist.

“Kënga jonë është një rebelim i njerëzimit ndaj frikës së terrorizmit”, kanë deklaruar dy këngëtarët.

Të favorizuar nga bookmakers në prag të Festivalit, gati dy ditë më parë ata me rrezikuan  skualifikimin për përdorim pasi problem ishte refreni i këngës, e cila është shumë e ngjashme me një këngë të paraqitur në Sanremo Giovani në 2016.

Por departamenti ligjor i RAI në një deklaratë të lexuar në zyrën e shtypit tha se se të dy pjesët kanë skica, kohëzgjatje, tekste dhe melodi të ndryshme. Ngjashmëria nuk kalon një minutë dhe tre sekonda në një kohëzgjatje totale prej 3 minutash dhe 24 sekondash, pra më pak se një e treta.“Përfundimi është se të dy këngët, megjithëse paraqesin analogji, nuk janë e njëjta këngë. ‘Non mi avete fatto niente’ është këngë e re dhe qëndron në garë”, thuhet në deklaratë.

Me drejtues artistik Claudio Baglioni dhe i prezantuar nga Michelle Hunziker dhe Pier Francesco Favino në vendin e dytë ne festival u renditën Lo Stato Sociale me “Una vita inavacanza” dhe në vendin e tretë Annalisa me “Il mondo prima di te”.
Ron, me këngën “Almeno pensami”, të Lucio Dalla, fitoi çmimin e karrierës “Mia Martini”./k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOTO/ Parku Arkeologjik i Finiqit, destinacion kulturor e turistik
Artikulli tjetërVIDEO/ “Shirli Valentina”, realiteti i gruas së zakonshme përmes humorit dhe aktrimit