TIRANË, 15 dhjetor/ ATSH-I.Vata/ Fusha e Çajupit e mbuluar me mantelin e dëborës dhuron pamje gati surrealiste në dimensionin e hapësirës dhe thellësisë e që mjegullohet në majë duke i dhënë dritë bardhësisë së fushës.
Fusha e Çajupit prej vitesh është kthyer në një destinacion turistik në të gjitha stinët e vitit, por në stinën e dimrit mbetet një nga më të rrallat për t’u vizituar.
Administrata e Zonave të Mbrojtura Gjirokastër postoi pamje nga Fusha e Çajupit e cila është mbuluar nga petku i dëborës.
Fusha e Çajupit ndodhet në Parkun Natyror “Zagori” rreth 1200 metra mbi nivelin e detit dhe 25 km larg Gjirokastrës.
Natyra e egër, ajri i pastër, mjedisi i këndshëm ofron mundësi për të kaluar momente qetësie, sidomos për ata që duan të largohen nga jeta e zhurmshme urbane, larg stresit dhe rutinës së përditshme.
Përveç bimësisë së egër, shkurreve, dëllenjës, me ligjin e moratoriumit në Fushën e Çajupit dhe Parkun Natyror “Zagori” janë shtuar kafshët e egra që gjenden në habitatin e tyre natyror si personazhe të përjetshme të këtij peizazhi fantastik të natyrës shqiptare.
Mali i Çajupit mbetet edhe një ftesë e hapur për të apasionuarit pas turizmit malor.
Qafa e Çajupit është një hapësirë ku mund të shohësh dy pamje mahnitëse, në njërën anë nga lindja, Fusha e Çajupit dhe nga perëndimi, Lugina e Drinos me hiret e saj. Të apasionuarit pas natyrës dhe aventurës mund të zbulojnë një destinacion për hiking dhe hipizëm.
/j.p/r.e/












