Ballina Flash

Netflix prezanton videolojëra për abonentët e tij

NJU-JORK, 4 nëntor /ATSH-AFP/ – Gjiganti amerikan i transmetimit, Netflix njoftoi prezantimin global të disa lojërave celulare për abonentët e tij, ndërsa grupi kërkon të diversifikohet dhe të hyjë në tregun shumëfitimprurës të videolojërave.

Dy nga titujt e ofruar nga Netflix vijnë nga universi i serialit fantastiko-shkencor dhe horror “Stranger Things”, i transmetuar në platformë.

Titujt e tjerë, “Shoting Hoops”, “Card Blast” dhe “Teeter Up” janë lojëra me letra ose lojëra aftësish.

Këto lojëra ishin tashmë të disponueshme për disa javë për anëtarët e Netflix në Poloni, Spanjë dhe Itali.

Abonentët në mbarë botën me një tablet ose smartphone Android, sistemi operativ celular i Google, tani do të mund t’i shkarkojnë ato falas nga pajisja e tyre dhe t’i luajnë pa u ekspozuar ndaj reklamave.

Grupi nuk ka bërë të ditur nëse planifikon t’i prezantojë së shpejti këto lojëra në pajisjet me sistem iOS i zhvilluar nga Apple.

Megjithatë, ai tregoi se së shpejti priten të pasojnë tituj të tjerë.

Netflix ka disa muaj që tregon ambiciet e tij në industrinë e videolojërave video, ndërkohë që konkurrenca është gjithnjë e më intensive në sektorin e transmetimit, me prezantimin e ofertave rivale si HBO Max ose Peacock TV.

Përtej konkurrentëve të drejtpërdrejtë, si Disney +, drejtuesit e grupit kalifornian përmendin rregullisht YouTube, rrjetet sociale dhe videolojërat ndër rivalët e tyre në tregun e argëtimit.

Kompania bleu në shtator studion e saj të parë të videolojërave, Night School Studio, një start-up në Kaliforni që krijoi thrillerin mbinatyror Oxenfree.

Tregu global i videolojërave vlen më shumë se 300 miliardë dollarë, sipas shifrave të publikuara në prill nga firma konsulente Accenture./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakE ardhmja e zgjerimit – një këndvështrim nga rajoni
Artikulli tjetërBRUKSEL – Inflacioni i çmimeve të prodhimit në eurozonë në rritje