TIRANË, 25 tetor /ATSH/ Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim mbështet Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) për investimet dhe stabilitetin financiar përmes një pakete prej 70 milionë euro.
Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi sot projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projektin e OSHEE-së për reagimin ndaj krizës së pandemisë COVID-19”.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e pranishme në mbledhjen e komisionit, tha se “ky financim synon rritjen e performancës së OSHEE Group, sh.a., duke i mundësuar shoqërisë likuiditet të nevojshëm për financimin e projekteve kryesore, në sistemin energjetikë”.
Balluku tha se “huaja do të jetë e strukturuar në dy transhe, ku 55 milionë euro do të përdoren nga OSHEE për të lehtësuar shtrëngimet e likuiditetit që shkaktohen nga kriza e COVID-19 dhe një transh tjetër 15 milionë euro do të përdoret nga OSHEE për të financuar ndërtimin e një nënstacioni 110/20 kV në zonën qendrore të Tiranë”.
Duke iu përgjigjur interesit të deputetëve të opozitës për blerje të energjisë me shifra të ekzagjeruara, ministrja shpjegoi se “Shqipëria blen energji në bazë të çmimeve të upeksit”.
“Çmimet janë sot të ekzagjeruar në treg, por nuk janë se blejmë ne. Kërkesa për energji është më e madhe se prodhimi, ndaj dhe kemi rritje të çmimit”, tha Balluku.
Ndërsa solli në vëmendje se investimet në sistemin energjetik sot janë realitet i prekshëm.
“Në vitin 2013 e kemi marrë sistemin me zero investime. Me HEC-e që ishin ndërtuar në vitet ’70. Diferenca e investime në energjetikë nuk është çështje politike pasi flasin faktet. Të gjithë e dinë mirë sa orë iknin dritat deri në 2013 dhe sa orë energji kanë sot të gjithë abonentë në të gjithë vendim”, tha ministrja.
Balluku në interes të pyetjes së deputetëve të opozitës për diversifikimin e sistemit tha se, “qeveria ka hartuar strategjinë për diversifikimin e energjisë duke shtuar kapacitetet lokale”.
“Projektet e madh kanë nisur, në Spitallë dhe Karavasta investimet janë në procese të avancuara. Kemi nisur me mbështet e BERZH strategjinë për ndërtimin e parqeve eolike, dhe pjesë e rëndësishme e kësaj strategjie është ndërtimi i HEC-it të 4-t në kaskadë krahas HEC të Ashtës”, u shpreh Balluku.
Ndërkohë marrëveshja e huas dhe marrëveshja e garancisë, që janë nënshkruar me BERZH-n më 8.9.2021, kanë si qëllim sigurimin e fondeve në formën e kredisë me terma të favorshëm, për të mbështetur kompaninë për sigurimin e stabilitetit ekonomiko – financiar, në vlerë të përgjithshme deri në 70 000 000.00 (shtatëdhjetë milionë) euro. me anë të mbështetjes nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me një kredi prej 70 milionë eurosh, me kusht që të ketë garancinë e Republikës së Shqipërisë.
/a.a/r.e/






















