Ballina Flash

Prezantohet platforma online e Këshillit Konsultativ për konsultimin e akteve

TIRANË, 28 shtator/ATSH/ Mbledhja e Këshillit Konsultativ Qeverisje Qendrore-Vetëqeverisje Vendore mblodhi përfaqësues të bashkive, shoqatave vendore dhe institucioneve qendrore për të diskutuar paketën me 11 projektakte të rëndësishme, si edhe për të ndarë zhvillimet më të reja në lidhje me arritje dhe projekte që ndikojnë pushtetin vendor.

Bashkëkryetarja e Këshillit Konsultativ, Romina Kuko dha lajmin e kalimit në qeveri të marrëveshjes midis Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë shqiptare për projektin STAR 3.

Gjithashtu Kuko ndau me të pranishmit një nga arritjet e projektit të Asistencës Teknike të mbështetur nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, më konkretisht platformën e Këshillit, e cila ofron mundësinë e konsultimit online të projektakteve në kohë reale dhe transparente për të gjithë përfaqësuesit e Këshillit.

Ngritjen e platformës së konsultimit të akteve e vlerësoi edhe Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Hubert Perr, i cili ishte i pranishëm në mbledhje.

Në fjalën e tij Perr theksoi se “Këshilli Konsultativ luan një rol kyç në përparimin e mëtejshëm të axhendës së decentralizimit në Shqipëri”.

“Reforma administrative territoriale duhet të konsolidohet më tej si pjesë e axhendës më të gjerë të decentralizimit. Kjo është veçanërisht e nevojshme për të garantuar autonominë fiskale vendore dhe për të fuqizuar bashkitë që të ofrojnë shërbime cilësore publike me standarde për qytetarët”, – u shpreh Perr.

Më tej Perr theksoi se “integrimi në BE mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse përfshihen bashkitë, meqenëse më shumë se 70 për qind e legjislacionit të BE-së duhet të zbatohet në nivel vendor. Decentralizimi është mënyra më efikase për t’i shërbyer qytetarëve të Shqipërisë, ndaj BE do të vazhdojë mbështetjen e Shqipërisë në këtë proces”.

Në këtë mbledhje të katërt për vitin 2021, anëtarët e Këshillit, përfaqësues të pushtetit vendor dhe qendror, diskutuan e miratuan dokumente strategjikë ku vlen të përmenden: Agjenda Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2021-2026, Planet Kombëtare për përfshirjen e komunitetit Rom dhe Egjiptian dhe komunitetit LGBTI+.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bardhylka Kospiri, u shpreh se këto projektakte të sjella për diskutim janë shumë të rëndësishme dhe kërkojnë vëmendje të përkushtuar nga ekipet e bashkive.

Nga ana e tyre, përfaqësues të bashkive dhe shoqatave vendore shprehën vlerësimin dhe angazhimin e tyre për Agjendën Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, ndërsa ndanë komentet në lidhje me buxhetimin dhe detyrat e përcaktuara për njësitë e vetëqeverisjes vendore në Planet Kombëtare për Përfshirjen e Komunitetit Rom & Egjiptian dhe Komunitetit LGBTI+. Komente dhe sugjerime u bënë edhe nga Ministria e Brendshme, Shoqata për Autonomi Vendore, si dhe nga Aleanca e Grave Këshilltare të Tiranës.

Më tej, anëtarët e Këshillit Konsultativ diskutuan e dhanë komentet e sugjerimet e tyre mbi projektaktet e ardhura nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Të gjitha komentet dhe sugjerimet do t’u përcillen institucioneve qendrore nga Sekretariati Teknik i Këshillit Konsultativ për t’u reflektuar në projektaktet e hartuara.

Mbledhja e Këshillit Konsultativ u mbajt online, nën mbështetjen e projektit të Asistencës Teknike të financuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe zbatuar nga Instituti i Kërkimeve Urbane.

Projektaktet e diskutuara në Këshillin Konsultativ:

– Agjenda Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, 2021-2026;

– Plani Kombëtar i Veprimit për Barazi, Përfshirje dhe Pjesëmarrje të Romëve dhe Egjiptianëve në Republikën e Shqipërisë, 2021-2025;

– Plani Kombëtar i Veprimit për Personat LGBTI+, 2021-2027;

– Projektvendim “Treguesit statistikorë të vlerësimit të ndihmës ekonomike të pagesës për personat me aftësi të kufizuar dhe shërbimeve shoqërore si dhe peridiocitetin e mbledhjes së tyre”;

– Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10112 dt. 9.04.2009 “Për administrimin e bashkëpronësisë së ndërtesave të banimit”;

– Projektvendim “Për miratimin e kritereve për identifikimin e subjekteve private strukturat përgjegjëse për identifikimin e tyre dhe rregullat për realizimin e bashkëpunimit ndërmjet tyre”;

– Projektvendim “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të krijimit të sistemit të gjurmimit;

– Projektvendim “Për miratimin e rregullave për shpërndarjen e kostove të lidhura me koordinimin e punimeve civile”;

– Projektvendim “Mbi përcaktimin e rregullave për infrastrukturën e brendshme për rrjetet e komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë dhe administrimin e pikës së aksesit në godina”;

– Projektvendim “Për përcaktimin e kategorive të ndërtesave që përjashtohen nga detyrimi i pikës së aksesit për infrastrukturën e rrjeteve të komunikimeve elektronike”;

– Projektvendim “Mbi miratimin e rregullave të përgjithshme për procedurat e dhënies të së drejtës së kalimit për ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë”.

/k.s/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakIbrahimaj takon Shefen e FMN-së: Po ecim në rrugën e duhur të konsolidimit dhe progresit
Artikulli tjetërVrasja e nënkomisarit Saimir Hoxha, nisin procedurat për shpalljen “Dëshmor i Atdheut”