Ballina Lajme nga Vendi

PD kërkon arrestimin e deputetit Jurgis Çyrbja

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ – Partia Demokratike ka reaguar nëpërmjet Nënkryetarit të Komisionit të Ligjeve, Enkelejd Alibeaj për përgjimet e bëra publike nga mediet për dosjen “Shullazi”.

Në një deklaratë për mediet nga selia e PD, Alibeja është shprehur se “Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria zbatimin e ligjit duke sjellë në Kuvend kërkesën për arrestimin e menjëhershëm të deputetit Jurges Çyrbja, anëtar i bandës së Emiljano Shullazit”.

Në fjalën e tij, Alibeja theksoi se: “Përgjimet e bëra publike sot nga media provojnë qartë se deputeti i Edi Ramës, Jurgis Çyrbja, është anëtar i bandës së Emiljano Shullazit, por ndryshe nga ai, nuk është në burg, por anëtar i Parlamentit.

Sipas përgjimeve të publikuara, deputeti Çyrbja ka komunikuar të paktën dy herë në telefon me Gilmano Danin, krahun e djathtë të Emiljano Shullazit për çështjen e hotel ‘Vollgës’, e cila është regjistruar në pronësi të Emiljano Shullazit nga Jurgis Çyrbja.

Në të dyja rastet, si shërbëtor besnik, deputeti Çyrbja, në atë kohë drejtor i Hipotekës Durrës, e informon Gilmano Danin për veprimet e Prokurorisë.

Telefonata e parë u bë prej anëtarit të bandës në krye të Hipotekës menjëherë pas sekuestrimit të dosjes së hotel Vollgës nga prokuroria. “E kemi keq punën. Lidhet me detyrën time”, – janë fjalët e deputetit Çyrbja në adresë të Gilmano Danit, i cili ka qenë në përgjim.

Telefonata e dytë mes të dyve është kryer menjëherë sapo ish-kreu i Hipotekës ka dalë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe i ka kërkuar takim Gilmano Danit krahut të djathtë të Emiljano Shullazit.

Disa muaj më pas, Jurgis Çyrbja gjatë seancës gjyqësore jo vetëm që dëshmoi në favor të Emiljano Shullazit, por ai ka gënjyer drejtësinë, duke pohuar se të vetmin kontakt me Gilmano Danin e ka pasur gjatë kohës së regjistrimit të pronës.

Partia Demokratike e ka denoncuar që në fillim ish-drejtorin e Hipotekës së Durrësit, Jurgis Cyrbja, si anëtar të bandës së Emiljano Shullazit, por, në vend që të ishte në burg bashkë me bosin e tij, Edi Rama e shpërbleu dhe e mori në mbrojtje bandën, duke e bërë Jurgis Çyrbjen deputet të Kuvendit të Shqipërisë.

Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria zbatimin e ligjit duke sjellë në Kuvend kërkesën për arrestimin e menjëhershëm të deputetit Jurges Çyrbja, anëtar i bandës së Emiljano Shullazit”, – thuhet në deklaratë. /e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKorçë – Banesat “monument kulture” po kthehen në identitet
Artikulli tjetërMPB-KFOR: Gjendja e sigurisë në Kosovë, e qetë dhe e qëndrueshme