TIRANË 23 gusht /ATSH-I.Vata/ Vrasja e një dhie të egër në anën greke të Malit Gramoz ka nxitur reagimin dhe shqetësimin e shoqatave mjedisore dhe atyre të mbrojtjes së jetës së egër.
Lajmi bëhet i ditur nga Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri, e cila njofton vrasjen e paligjshme të dhisë së egër.
“Nëpërmjet një njoftimi nga shoqata partnere Balkan Chamois Society, jemi vendosur në dijeni të në një rasti gjuetie të paligjshme në anën greke të Malit Gramoz, ku është vrarë një individ i dhisë së egër (Rupicapra rupicapra balcanica). Gjuetari i paligjshëm aktualisht është drejtuar në anën shqiptare të këtij mali, ku do t’i duhet rreth dy orë për të arritur në fshatin më të afërt të zonës së Ersekës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri apelon për qytetarët që të denoncojnë raste duke kontaktuar me Policinë e Shtetit.
“Ekipi ynë i bën thirrje çdo banori që në rast se bie ne kontakt ose vëzhgon dikë që i përafrohet individit në foton e mëposhtme, të kontaktojë menjëherë Policinë e Shtetit në numrin 129. Ju bëjmë me dije se institucioni i Policisë së Shtetit është vendosur në dijeni nga ekipi ynë dhe se është në pritje të çdo raportimi mbi këtë rast”, thuhet në njoftim. /j.p/























