Ballina Ekonomi

Strukturë e re e turizmit rural në Bajkaj të Delvinës

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Në Bajkaj të Delvinës, pak minuta nga Saranda, pranë një burimi uji të kthjellët si kristal e mes një parku me vegjetacion si në tropik, me mbështetjen e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, AZHBR, nëpërmjet programit IPARD, po ngrihet Lutroi Eko Park, një strukturë e re turizmi rural.
Lajmi u bë i ditur nga drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca, e cila thekson se realizimi i këtij projekti, është një ëndërr që po merr formë në tokën e të parëve për Kreshnikun dhe dy kushërinjtë e tij ortakë, Janin dhe Viktorin.
“Gëzimi dhe entuziazmi iu lexohet lehtësisht në sy. Jani është skulptor dhe ka merakun të më tregojë se rreptësia e respektimit të punimit të gurit në detaj, siç ia kërkon punëtorëve gjirokastritë të cilëve i rri tek koka ditë e natë, mund t’ia vonojë afatin, por që nuk mund të bëjë kompromis”, – shprehet Krifca e cila ka parë nga afër këtë investim.
Struktura do të ofrojë akomodim në gjashtëmbëdhjetë dhoma, akses në pyllin që po shndërrohet në një park ekologjik të vizitueshëm, ushqim të zonës që është e pasur me bujqësi e blegtori e për këtë po lidhin kontrata me fermerë e blegtorë.
“Së shpejti do rikthehem ta shoh të përfunduar këtë punë që frymëzon për ndikimin transformues të këtij financimi për Shqipërinë rurale”, tha Krifca.

Shqipëria është një vend bujqësor me vendndodhje të jashtëzakonshme gjeografike, me peizazhe të mrekullueshme dhe mjaft e pasur në kulinari dhe gastronomi.

Potenciali i pashfrytëzuar për zhvillimin e agroturizmit ekziston pothuajse në të gjithë vendin. Qarqet që premtojnë më shumë në ndërthurjen e bujqësisë me atraksionet turistike janë Korça, Berati, Gjirokastra, Vlora, Shkodra, Kukësi dhe Dibra.

Sot modelet më të zakonshme të agroturizmit janë restorantet “nga ferma në tryezë” me kapacitete të kufizuara akomodimi. Ndaj agroturizmi trajtohet si një sektor me prioritet të lartë në programin e qeverisë dhe shumica e strategjive në nivel qendror dhe vendor e konsiderojnë këtë sektor të rëndësishëm për bujqësinë dhe diversifikimin rural./k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – Von der Leyen: Afganëve t’u ofrohet mundësi azili
Artikulli tjetërKërkesë e shtuar e tregut të huaj, domatja e tharë e Luzit të Vogël drejt Italisë