TIRANË 16 gusht /ATSH-I.Vata/ Bashkia Bulqizë është drejt përfundimit të përgatitjes së institucioneve arsimore për nisjen e vitit të ri shkollor.
Lajmi bëhet i ditur nga kryetari i bashkisë Bulqizë Lefter Alla, gjatë inspektimit në gjimnazin “Arbëria” dhe disa institucioneve të tjera në qytetin e Bulqizës.
Gjatë inspektimit, kryetari Alla vlerësoi se shtatori duhet t’i gjejë mjediset shkollore sa më të përshtatshme për nxënësit dhe mësuesit, pasi prej dy vitesh ata kanë qenë nën presionin e pandemisë globale Covid-19.
“Gati për vitin shkollor 2021-2022. Pas periudhës së vështirë prej mëse dy vitesh, mjediset arsimore duhet të jenë sa më frymëzuese për një proces të suksesshëm mësim nxënës. Në prag të vitit të ri shkollor, inspektuam nga afër mjediset e shkollave, ku pothuajse kanë përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për të mirëpritur nxënësit dhe stafet pedagogjike. Ekipet tona do të punojnë deri ditën e fundit, për të siguruar kushte sa më të mira për fëmijët tanë”, shprehet Alla.
Puna për përgatitjet e shkollave ka nisur prej javësh dhe janë rikonstruktuar, lyer, pastruar brenda dhe jashtë ambienteve shkollore të gjitha institucionet arsimore në bashkinë Bulqizë. /j.p/












