PRISHTINË, 1 gusht/ATSH/.- Ansambli “Emin Duraku” nga Zhuri dhe grupe e solistë të tjerë performuan këngë e valle në Shatërvan të Prizrenit për bashkatdhetarët, që ndodhen për pushimet verore në vendlindje.
Ky aktivitet i titulluar “Sofra e mërgimtarit” organizohet në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për punën dhe kontributin që mërgimtarët kanë dhënë dhe po japin për Republikën e Kosovës, si dhe në zhvillimin e jetës kulturore dhe ruajtjen e traditave shqiptare në mërgim.
Në kuadër të aktivitetit të organizuar u shpërndanë edhe mirënjohje për individë dhe organizata që kanë kontribuuar për zhvillimin e kulturës së Kosovës në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë, duke e ruajtur traditën, gjuhën dhe kulturën tonë.
Me këtë rast, ministri Gashi, i cili mori pjesë në këtë organizim, u shpreh se “aktivitete të kësaj natyre përveç shprehjes së falënderimit për kontributin e bashkatdhetarëve tanë, MRKS po mbështet edhe përçimin e vlerave të mirëfillta kulturore duke e pasuruar jetën kulturore”.
“Ne po punojmë vazhdimisht që organizimet e mirëfillta kulturore të kenë hapësirën dhe përkrahjen e nevojshme që bashkatdhetarët dhe qytetarët e Kosovës të kenë se çfarë të shohin e dëgjojnë dhe si ministër ndjehem jashtëzakonisht i lumtur për këtë”, u shpreh ministri Gashi./k.s/
























