TIRANË, 10 shkurt /ATSH – I. Vata/ Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit deklasifikon dosjen Nr. 64, “Ndryshimet politike në Europën Lindore, fundi i komunizmit”.
“Të gjithë udhëheqësit u ndryshuan në vendet e Lindjes. Edhe te ne, sa të mbarojnë problemet e filluara në Lindje dhe do të ndryshojë, se Themeluesit të Partisë, njeriut që hante njerëz, do t’i hidhen kockat në erë.”
“Muri i Berlinit u prish, ky është dhe fundi i komunizmit. Kjo gjendje do të japë shkak për t’u kthyer drejt kapitalizimit të gjitha vendet e Europës Lindore”.
Këto janë vetëm disa nga përshtypjet e mbledhura nga Sigurimi në popull, mes të rinjve në Tiranë dhe Shkodër, në perëndim të regjimit, 30 vjet më parë.
Dosja nr. 64 “Ndryshimet politike në Europën Lindore” dhe të tjera dosje të Sigurimit mbi ndryshimet politike në vend, tashmë të deklasifikuara, mund të vihen në dispozicion të të interesuarve, sipas ligjit 45/2015 i ndryshuar. /a.a/r.e/























