PARIS, 12 nëntor /ATSH-AFP/ – Forumi mbi Informacionin dhe Demokracinë prezantoi sot më shumë se 250 propozime që synojnë të luftojnë dezinformimin dhe kaosin e informacionit që mbretëron në internet, përmes rregullimit efektiv të platformave dixhitale dhe rrjeteve sociale.
Krijuar vitin e kaluar nga 11 organizata të shoqërisë civile, ky forum buron nga Partneriteti për Informacionin dhe Demokracinë, iniciuar nga OJQ-ja ”Reporterë pa Kufij” (RSF) dhe së cilës i janë bashkuar rreth 30 shtete për të promovuar një informacion të besueshëm në hapësirën dixhitale.
Forumi ka formuluar 253 rekomandime bazuar në punën e rreth 100 studiuesve, avokatëve dhe ekspertëve nga e gjithë bota, të bëra publike gjatë Forumit të 3-të të Parisit për Paqen.
Ideja qendrore është se duhet të lëmë epokën e vetërregullimit për të hyrë në një rregullim të vërtetë publik të platformave në mënyrë që të pengojmë përhapjen e informacionit të rremë ose të manipuluar.
“Lakmia i ka shtyrë ata të krijojnë rregulla që janë të mira për bizneset e tyre, por shumë të këqija për publikun, dhe me algoritmet e tyre që drejtojnë vendimet tona, ata kanë thyer mënyrën se si mendojmë”, denoncoi Maria Ressa, gazetari filipinase dhe mbrojtëse e famshme e lirisë së shtypit, e cila bashkëkryesoi këto punime.
Mes zgjidhjeve të propozuara bëjnë pjesë vendosja e rregullave të transparencës në platforma, vendosja e rregullatorëve të fortë dhe të kontrolluar në mënyrë demokratike dhe përdorimi i një arsenali sanksionesh që variojnë nga gjobat e rënda, të cilat janë vërtet dekurajuese, deri në akuzim personal të udhëheqësve të tyre në rast të shkeljeje apo edhe ndalim i veprimtarisë së këtyre ndërmarrjeve në shkallë kombëtare.
Platformat janë ftuar gjithashtu të miratojnë mekanizmat e barazisë në fuqi në mediat publike si sigurimi i hapësirave të lira për t’u shprehur për kandidatët në zgjedhje, ndalimi i reklamave politike, etj.
Shumë më shumë propozime teknike synojnë të monitorojnë vetë mënyrën e zbatimit dhe implementimit të algoritmeve të tyre./ /ec/























