TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Sistemi bankar shqiptar ka ulur huadhënien jashtë vendit në gjysmën e parë të këtij viti.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit qershor kredia për jorezidentët ishte rreth 20 miliardë lekë, ose rreth 160 milionë euro. Ajo zinte 3.4% të tepricës së kredisë së sektorit bankar, nga 4% në fund të vitit 2019 dhe 4.5% më mesin e vitit të kaluar.
Kredia e bankave shqiptare jashtë vendit arriti nivelin maksimal në mesin e vitit 2017, kur arriti vlerën e rreth 70 miliardë lekëve.
Pasi arriti në gati 12% të totalit të kredisë së sistemit, ajo u frenua edhe me këmbënguljen e Bankës së Shqipërisë, që kërkoi ndalimin e rritjes së këtyre ekspozimeve për shkak të rreziqeve lidhur me vështirësitë për ndjekjen e aktivitetit të klientëve.
BSH thekson se cilësia e kredisë mbetet në nivele të kënaqshme dhe vitin e fundit stoku i kredive me probleme ka shënuar rënie. Në mesin e këtij viti, raporti i kredive me probleme në segmentin e huasë jorezidente ishte 3%. /a.a//r.e/






















