Ballina Aktualitet

Vendimmarrja e BE, reforma shqiptare në Drejtësi unikale e gjithë procesit

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ – Kryeministri Edi Rama vuri në dukje se vendimmarrja për çeljen e negociatave me Shqipërinë ka nxjerrë në dritë një fakt të rëndësishëm: përpjekjet e mëdha që janë bërë nga ana e vendit për ta merituar këtë vendim.

“Reforma në Drejtësi, unikale në të gjithë procesin e integrimit europian të të gjitha vendeve anëtare, e gjithëpranuar si model që duhet shtrirë në gjithë rajonin, një reformë radikale me kosto jo të vogla të natyrave të ndryshme, për të cilën ne rrezikuam vetë koalicionin qeverisës”, – theksoi Kryeministri Rama.

Ndërsa për fqinjen tonë, Maqedoninë ai tha se ka kryer po ashtu një veprim ndoshta edhe më radikal, edhe pse jo krejt paralel me përpjekjen shqiptare e ky është fakti që fqinjët tanë ndryshuan emrin e shtetit.

“Përfytyroni sikur ndonjërit prej vendeve tona t’i kërkohej të ndryshonte emrin për të qenë pjesë e BE-së. Është e papërfytyrueshme dhe e pakonceptueshme, pa llogaritur faktin që një pjesë jo vetëm nuk do ndryshonin emrin, por do donin t’i ndryshonin emrin BE-së”, – tha Kryeministri.

Ai theksoi se bëhet fjalë për një moment realisht të rëndësishëm. “Besoj tek skuadra e krijuar mes ambasadorëve të pranishëm të vendeve të BE-së, delegacioneve të vendeve të tjera, që i kam parë të motivuar për më të mirën për t’ju thënë se në këtë fazë, lind nevoja për të thelluar bashkëpunimin mes të dyja palëve sikundër dhe brenda nesh, brenda strukturave të qeverisjes dhe të shtetit, pasi procesi është thellësisht i sofositikuar, ka nevojë për realisht punë të jashtëzakonshme”, – theksoi Kryeministri. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBE nuk la pas dore axhendën e integrimit të Ballkanit Perëndimor
Artikulli tjetërFoto/ Vepra më e re në kryeqytet