PARIS, 16 qershor /ATSH-AFP/ – Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (AIE) parashikon një rritje të ndjeshme të kërkesës për naftë vitin e ardhshëm, por që do të jetë sërish e kufizuar për shkak të vështirësive në sektorin e aviacionit, theksoi sot ajo.
Në parashikimet e para për vitin 2021, ajo pret një rritje të pazakontë prej 5,7 milionë fuçi naftë në ditë të kërkesës botërore në raport me vitin 2020, vit i shënuar nga pandemia e COVID-19.
”Me 97,4 milionë fuçi naftë në ditë, kjo shifër vazhdon të mbetet 2,4 milionë fuçi naftë në ditë nën nivelin e vitit 2019, kryesisht për shkak të dobësimit aktual të kërkesës për karburant dhe naftë”, theksoi AIE në raportin mujor mbi naftën.
“Sektori i aviacionit është përballur me një krizë ekzistenciale dhe kërkesa për produktet e naftës do të mbetet nën presion edhe pas këtij viti, edhe pse karburantet e tjera pritet të rikuperohen në nivelet para COVID-19”, theksoi ajo./ /ec/























