PRISHTINE, 9 qershor /ATSH/ -Kryeministri Avdullah Hoti priti sot në takim shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë ambasadorin Jan Braathu me të cilin bisedoi për gjendjen e përgjithshme politike në vendin tonë.
Ambasadori Braathu uroi kryeministrin Hoti për marrjen e detyrës së re, duke theksuar gatishmërinë e OSBE-së për të vazhduar bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës në dobi të forcimit të institucioneve demokratike të vendit si dhe të qeverisjes së mirë.
Ndërsa, kryeministri Hoti falenderoi ambasadorin Braathu për përkrahjen e OSBE-së për institucionet e Kosovës, duke theksuar vullnetin për bashkëpunim të mëtejmë në avancimin e proceseve, në të cilat mbështetja e OSBE-së është mjaft e rëndësishme./KosovaPress//e.m/












