TIRANË, 23 maj /ATSH/- Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimo Kote, gjatë një takimi sot në Fier, ku u prezantua Skema Kombëtare e mbështetjes për bujqësinë, i garantoi fermerët se ata nuk do të jenë vetëm.
“Specialistët e bujqësisë do t’ju kontaktojnë drejtëpërdrejtë dhe janë të gatshëm t’ju ndihmojnë për çdo paqartësi që mund të keni në aplikimin e Skemës së Mbështetjes, për të përfituar financim falas, nga fondi që qeveria shqiptare adreson për bujqësinë” – tha Kote.
Duke marrë fjalën në këtë takim, Kote tha se, Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ka goditur në shenjë me financimet që po lëvron në investimet që prekin të gjithë zinxhirin e bujqësisë dhe agropërpunimit.
“Subvensioni në blegtori që zë dhe vendin kryesor në Skemën e Mbështetjes 2020, do të vijojë edhe vitin tjetër duke rritur financimin në blegtori krahas bujqësisë, ashtu siç po zhvillohen skemat e financimit edhe në vendet e tjera”,- tha Kote.
Sipas tij, ne kemi sot rreth 1700 ha sera, e fermerët përfitojnë nga 3 milionë lekë deri në 5 milionë lekë, për ndërrimin e plastmasit në çdo tip sere që kanë të ndërtuar në tokat e tyre.
Në zonën e Fierit, që shquhet për prodhimtarinë më të lartë bujqësore në Shqipëri, po investohen 60 milionë euro në sistemin e ujitjes dhe kullimit.
“Paralelisht me ujitjen e kullimin, qeveria po financon në infrastrukturën rrugore rurale, përmirësimin e furnizimit me energji elektrike krahas subvencioneve për rritjen e prodhimit bujqësor vendas apo granteve nga programi IPARD, duke investuar kështu njëkohësisht në të gjithë zinxhirin bujqësorë dhe agropërpunues”, tha zv.ministri.
Ai siguroi fermerët se, strukturat vendore dhe qendrore janë në eficensë të plotë për çdo nevojë të fermerëve se si të aplikojnë në skemat e mbështetjes. /e.xh/ /a.g/












