Ballina Flash

Kulla e Inglizit e shek. XIX, dëshmi e periudhës së aristokracisë mesjetare në Shkodër

TIRANË, 20 maj/ATSH/ Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka publikuar sot një foto nga “Kulla e Inglizit”, një ndërtesë e shek. XIX, e cila është një dëshmi e periudhës së aristokracisë mesjetare në Shkodër.

“Diversiteti kulturor në monumentet e kulturës, vjen sot i ilustruar nga arkiva e një prej muzeve tanë, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, tha Margariti.

“Kulla e Inglizit, një ndërtesë e shek. XIX, e rikonstruktuar nga lordi anglez Padget kur u vendos në Shkodër. Brendësia u përshtat në përngjasim të kishave e të kapelave protestante. Kulla e Sahatit do të shërbente për të rrahur kambanat në orarin e liturgjisë, por pas ndërhyrjes së autoriteteve osmane, ndërtesa u përdor vetëm si banesë”, ka theksuar ministrja Margariti.

“Në 1949 aty u vendos Muzeu i qytetit, i ashtuquajturi ‘Muze Popullor’”, ka shtuar Margariti.

Foto e publikuar është realizuar nga Kel Marubi, Vila Pagot, (pa vit) e marrë nga arkiva e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.

Kulla apo Sahati i Inglizit siç njihet gjerësisht, ku në periudhën e regjimit komunist qe vendosur Muzeu Historik i Shkodrës, është një ndërtesë me pamjen e një kështjelle të periudhës së aristokracisë mesjetare në Europë e ndërtuar nga lordi anglez Paget në çerekun e fundit të shek. XIX.

Nga pikëpamja ndërtimore përbëhet nga 16 dhoma aristokratike të mëdha. Më e madhja e ndërtuar me stil oriental.

Porta e oborrit është me dimensione jo të vogla e ndërtuar prej druri nga mjeshtërit shqiptarë. Dyert kanë stil të veçantë, të gdhendura me ornamente dhe me stemën e Anglisë. /gj.m//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNJU JORK – OKB: Solidaritet global për Afrikën përballë COVID-19
Artikulli tjetërParandalimi dhe lufta kundër krimit të organizuar/ Lleshaj: Komiteti Kombëtar i Politikave të bëhet i përhershëm