Ballina Lajme nga Vendi

FOTO/ Rally Albania “pushton” Përmetin

TIRANË, 15 Qershor / ATSH.N.Lena/  – 300 motorristë dhe garues makinash e motorrësh stacionuan një natë në Përmet në itinerarin përmes Shqipërisë të garës ndërkombëtare të Rally Albania ku marrin pjesë garues nga 30 vende të botës.

Për Përmetin dhe përmetarët kjo nuk ishte thjeshtë një lëvizje në rrugët e qytetit dhe fshatrave piktoreskë të qytetit të tyre, por ishte promovim i vlerave të rralla të kësaj treve.

Këtë e konfirmoi përmes entuziazmit edhe nënkryetari i Bashkisë së  Përmetit Llazar Thanasi.

Për ATSH ai tha se “kalimi i itenerarit të Rally Albania në zonën e Përmetit dhe ndalesa brenda në qytet, ishte një vlerësim që i bëhet kulturës,historisë dhe bukurisë së qytetit ton. Vlerësimi turistik i bukurive tona natyrore ka bërë që hoteleria për sezonin verorë të jetë e pronotuar. Kemi një start të mirë turistik dhe pretendojmë që këtë vit të ngjitemi më lartë se shifra e 25 mijë turistëve të vitit të shkuar”.

Qyteti karakteristik i njerëzve të urtë dhe mikpritës, i luleve, këngëve popullore lirike me saze, qyteti i verës por veçanërisht i glikove unikale,  e ka shtrirë  vizitueshmërinë e tij në të katër stinët e vitit. Do të gjesh vizitorë edhe në dimrin e ftohtë në Përmet ndërsa vera dhe vjeshta e gjenë qytetin dhe vendet piktoreske rreth tij të mbushur me vizitorë. Për vitin 2017 Përmeti u vizitua nga rreth 25 mijë turistë, vendas dhe të huaj.

I njohur edhe me emrin “Qyteti i trëndafilave”, për shkak të natyrës së bukur dhe monumenteve të shumta kulturore dhe historike, Përmeti ka qenë një mundësi më shumë për turistët që kanë mundur të shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë ekologjik.
Falë edhe investimeve të qeverisë me vlerë rreth 103 milionë lekë për zona rekreative, përmirësimin e ndriçimit dhe rikonstruksionin e rrugëve për këmbësorët, rikonstruksionin e rrugëve automobilistike, të shtëpisë së kulturës dhe rikonstruksionin e fasadave, Përmeti të tërheq gjithnjë e më shumë me bukuritë që ofron, historinë dhe traditën përmetare.

Për të gjitha këto veçanti që e karakterizojnë mund të quhet pa frikë “Perla e Jugut”, pasi edhe të udhëtosh drejt tij, sot është mjaft komode për shkak të një rruge të asfaltuar rishtazi.

“Guri i Qytetit”, është kthyer në një pikë referimi për qytetin nga ku mund të sodisësh rrugët, ndërtesat, shtëpitë karakteristike, kishat, xhamitë deri te saksitë e luleve në parvazet e dritareve.

Një nga resurset natyrore më të çmueshme janë burimet termale të Bënjës, fshat i ndodhur rreth 8 km nga Përmeti.

Burimet e ujërave termale janë natyrore dhe të mbledhura në gjashtë vaska të vogla që formojnë liqene natyrale me një bukuri të vyer.

Çdo vaskë, me temperatura që variojnë nga 25°C – 28°C, është e përdorshme për trajtimin e një problemi specifik në bazë të cilësive kurative të burimit që rrjedh: reaumatizëm, sëmundje dermatologjike, akne, ostoporozë, gastrit etj.

Përmeti është vendi ideal për pushime dhe aventura familjare, pasi kombinon ecjen në kanion, lundrimin e lumit me gomone apo kajak dhe climbing, të gjitha këto aktivitete të  mundëshme për një  familjeje active apo grup shoqërorë.

Duke u shndërruar në një pikë të veçantë turistike, edhe vetë familjet përmetare po hedhin hapat e parë të zhvillimit të agroturizmi.

Tradita e gatimeve të njohura përmetare sikundër ajo e prodhimit të reçelërave dhe glikove, e rakisë së njohur, kanë vendin e tyre në mozaikun e agroturizmit duke u shndërruar në një shtysë shumë të fortë  të ekonomisë dhe punësimit familjar.

Disa vlera të veçanta në këtë qytet turistik, janë objektet historike dhe ato të kultit, kisha të vjetra me  ikonostaset e mrekullueshme si ajo e  Leusës, ku mjeshtëria e artit të gdhendjes së drurit ka kaluar në përsosmëri, krahas afreskeve me ikona shenjtorësh, plot ngjyra, art të vërtetë dhe mister.

Pikat turistike më karakteristike të Përmetit janë Bredhit i Hotovës,që gjendet në zonën e Frashërit  në verilindje të Përmetit. Ky park konsiderohet si kurora e gjelbër, që tërheq menjëherë syrin e vizitorëve. Kushtet klimatike janë të favorshme në zhvillimin e florës dhe faunës.

Turizmi malor, eskursionet dhe kampingjet nuk i mungojnë kurrë këtij parku, jo vetëm nga banorët e Përmetit por nga i gjithë Ballkani e Europa. Në vitin 1996 ky bredh u  themelua si park kombëtar.

Bredhi i Petranit që gjendet ne luginën e sipërme të Vjosës, Petran-Carçovë dhe ka një sipërfaqe prej një hektarë. E veçanta është se bredhat janë rritur dhe zhvilluar në një zonë jashtë aorealit të përhapjes së bredhave.

Gjithë rrjedha e vjosës dhe luginat që ajo krijon, jan një admirim turistik.

Vjosa  është një lum i rrjedhshëm dhe herë-herë i rrëmbyeshëm nga ku veç plazheve të vogla që vendasit i shfrytëzojnë me efikasitet dhe i ruajnë e i mirëmbajnë, lumi shërben edhe si terren sportive për shumë sporte ujore.

Përmeti vërtet nuk ka det, por ka lumin më të bukur dhe më natyror të vendit. Disa ditë turistike në Përmet, do të ishin ditë njohjeje me natyrën,me traditën,me kulturën dhe me historinë e tij.

Infrastruktura rrugore ka bërë që Përmeti të afrohet me Tiranën dhe qytete të tjerë te Shqipërisë.

Motorristët u larguan nga përmeti në një destinacion tjetër të Shqipërisë, duke lënë pas jo vetëm zhurmën e motorrave të tyre por dhe jehonën në opinionin turistik se ky qytet dhe kjo krahinë janë nga më të mirat në vend për një turizëm të natyrës,të kulturës, të sporteve të guximit, dhe të një kulinarije të pa përsëritëshme. Përmeti i ka të gjitha.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëria mrekullia verore e Ballkanit
Artikulli tjetërEkonomi për ATSH: Impakti i modelit të ri ekonomik në punësim