TIRANË, 22 mars /ATSH/- Në kushtet e situatës së vështirë të krijuar nga pandemia COVID-19, Autoriteti Komunikimeve Elektronike dhe Postare, propozon nëpërmjet një udhërrëfyesi sjelljen dhe gjestet e nevojshme në përditshmëri për të siguruar vijimësinë dhe sigurinë e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike.
Sipas AKEP, operatorët celularë dhe ato të rrjeteve fikse të shërbimit internet, janë në punë dhe në gatishmëri të plotë, për të siguruar mirëfunksionimin, në shërbim të jetës dhe ekonomisë së vendit. Megjithatë, vetë ne, përdoruesit, mund të ndërmarrim një sërë veprimesh për të siguruar mbarëvajtjen e shërbimit të internetit.
Udhërrëfyesi të thjeshtë na orienton në lidhje me sjelljen tonë digjitale në këto ditë të vështira.
Disa nga aktivitetet që ndikojnë në reduktimin e shpejtësisë së internetit janë:
Shumë pajisje të lidhura në të njëjtën kohë me internetin, si laptopë, kamera,
telefona celularë, etj.
Shikimi apo shkarkimi i filmave dhe videove me rezolucion të lartë, shkarkimi i materialeve të mëdha, luajtja e lojërave online, videokonferencat, etj.
Lidhja e pajisjeve që mundësojnë kanalet televizive nëpërmjet internetit (të
njohura si IPTV, OTT, etj).
Shumë pajisje të lidhura vetëm në rrjetin valor të pajisjes tuaj në shtëpi, që quhet ndryshe si WiFi. Për të mos rënduar WiFi, këshillohet përdorimi i portave fizike që ka pajisja juaj në pjesën e pasme të saj. AKEP ju paraqet më poshtë disa udhëzime dhe këshilla teknike të vlefshme gjatë përdorimit të internetit.
AKEP ju paraqet më poshtë disa udhëzime dhe këshilla teknike të vlefshme gjatë përdorimit të internetit.
Optimizoni cilësinë e valëve (Wi-Fi)
Vendosni pajisjen tuaj WiFi në shtëpi në një pozicion ku valët e saj të mbulojnë sa më mirë gjithë banesën tuaj. Pengesat si sipërfaqet metalike apo muret e trasha, e ulin ndjeshëm mbulimin me valë dhe shpejtësinë e lidhjes ne internet. Distancat midis pajisjes tuaj WiFi dhe pajisjeve që lidhen me të, duhet të jenë sa më të shkurtra.
Përdorni WiFi vetëm për pajisjet që e kanë të pamundur lidhjen fizike me kabëll ethernet me modemin të tilla si telefonat smart dhe tabletat në mënyrë që të ruani kapacitetet dhe performancën e modemit tuaj.
Çaktivizoni gjithë shërbimet streaming dhe mbyllni pajisjet audiovizuale të lidhura me modemin tuaj kur nuk jeni duke i përdorur ato sepse vazhdojnë të përdorin lidhjen tuaj të internetit në mënyrë pasive. Mbani të përditësuar modemin tuaj WiFi por dhe antivirusin tuaj, driverat e pajisjeve tuaja si dhe aplikacionet nga të cilat aksesoni dhe përdorni internetin tuaj. Mbas çdo sesioni pastroni cachen dhe cookies. Mos harroni të ristartoni modemin tuaj herë pas here, sidomos kur konstatoni një ngadalësim të ndjeshëm të lidhjes me internetin, citon AKEP. e.xh/












