
TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ -Pas Shijakut, në kuadër të aksioni anti-KÇK, Operacioni Forca e Ligjit është zhvendosur në ditën e dytë në Shkodër.
Në njoftimin për mediet bëhet e ditur se “në vazhdim të aksionit të nisur ditën e djeshme nga Operacioni Forca e Ligjit, lidhur me ngjarjen e datës 17.01.2020, sot, më datë 04.02.2020, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka nxjerrë urdhrat e sekuestrimit për pasuritë e 6 shtetasve të tjerë”.
Siç bëhet e ditur, shtetasit A. M., me banim në lagjen Skënderbeg, Shkodër, i është sekuestruar: një banesë njëkatëshe, e ndodhur në lagjen Skënderbeg, Shkodër; dhtetasit M. D., me banim në Nicaj, Shkodër, i është sekuestruar: një banesë dykatëshe + një kat njësi shërbimi, e ndodhur në lagjen Fermentim, Shkodër; pasuria e llojit arë me sipërfaqe 1541 m2 si dhe pasuria e llojit truall me sipërfaqe 350 m2.
Gjithashtu, Operacioni Forca e Ligjit ka sekuestruar një banesë dykatëshe, e ndodhur në lagjen Bleran, Njësia administrative Rrethina, Shkodër; 3 automjete si dhe 1 motor të shtetasit A. D., me banim në lagjen Bleran, Njësia Administrative Rrethina, Shkodër.
Shtetasit G. F. me banim, lagjen Skënderbeg, Shkodër, i është sekuestruar një banesë vilë katërkatëshe, me pishinë; një automjet; shtetasit A. D. me banim në lagjen Bleran, Njësia Administrative Rrethina, Shkodër, i është sekuestruar: një banesë trekatëshe, e ndodhur në Hot i Ri, Shkodër si dhe shtetasit M. B., me banim në Grudë e Re, Shkodër, i është sekuestruar një banesë dykatëshe + një kat papafingo, e ndodhur në Grudë e Re si dhe një automjet.
Ndërkaq Operacioni Forca e Ligjit bën të ditur se ky aksion po vijon.
Një ditë më parë, Operacioni Forca e Ligjit vuri nën sekuestro, Kompleksin Golden dhe një karburant në pronësi të Altin Hajrit, i shpallur në kërkim, lidhur me rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, trupi i të cilit rezulton i zhdukur.
Edhe kjo dosje, tashmë do të dërgohet në SPAK e më pas në gjykatë, për të vlerësuar vlefshmërinë e sekuestrimit të kësaj pasurie.











