TIRANË, 17 janar/ATSH-A. Fortuzi/- Tekniku i “Interit” Antonio Conte është gati të përqafojë Ashley Young. Futbollisti i “Manchester United” është gati të vishte zikaltër, pasi të ketë përfunduar vizitat mjekësore dhe të hedh firmën në kontratën e re me “Interin”.
Futbollisti do ti kushtojë skuadrës nga Milano 1.5 milionë euro, plus 500 mijë euro bonus në rast se “Interi” fiton titullin kampionë të Italisë. Sipas “Sportmediaset”, futbollisti pritet të udhëtojë nga Mançesteri në Milano në orët në vijim për të kryer vizitat mjekësore në klinikën “Humanitas” dhe më pas do të vizitoi zyrat e klubit zikaltër për të nënshkruar kontratën.
34-vjeçari do të ri-gjejë te “Inter” dy miqtë e vjetër: Lukakun dhe Sanchez. Young sipas mediave italiane ka refuzuar dhe rinovimin e kontratës me “djajtë e kuq” vetëm për të kaluar te “Inter” dhe për të provuar shanset e tij në “Seria A”.
Antonio Conte, tashmë me Young në skuadër do të ketë më shumë alternativa në krah, pasi futbollisti është i aftë të luaj si në krahun e majtë, ashtu dhe në të djathtin. Tekniku Leçez shpreson ta ketë futbollistin në dispozicion për ndeshjen me “Leçen” këtë fundjavë, në të kundër Young do të debutojë në sfidën e ardhshme në shtëpi ndaj “Cagliarit”.






















