Ballina Aktualitet

Sofje/ Kuka: Shqipëria angazhim të plotë në luftën kundër terrorizmit

TIRANË, 13 dhjetor /ATSH – I. Vata/ Zv.ministrja e Brendshme, Romina Kuko po merr pjesë në Forumin e Ballkanit Perëndimor në Luftën Kundër Terrorizmit në Sofje, ku theksoi se Shqipëria ka angazhim të plotë për bashkëpunimin rajonal.

Në fjalën e saj Kuko falënderoi ministrin e Brendshme të Bullgarisë për zhvillimin e këtij aktiviteti kaq të vlefshëm në dialogun ndër rajonal me një nga sfidat, siç është ekstremizmi i dhunshëm.

“Dua të falënderoj Bullgarinë, e cila gjatë presidencës së saj të BE ka bërë një punë të shkëlqyer në pjesën e dialogut, sidomos në drejtim të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, ku Bullgaria ka shprehur pa ekuivok qëndrimin e saj se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në Europë”, tha ajo.

Duke folur për procesin e integrimit të rajonit në BE, Kuko tha se “procesi i integrimit në Europë për ne është një proces demokratizimi, është një proces përmirësimi i demokracisë tonë të brendshme, është një proces përmirësimi i kuadrit tonë ligjor dhe është një proces i ndërlidhjes që ne do të kemi me vendet e rajonit”.

Më tej Kuko shtoi se në diskutimet e sotme në panel u ra dakord se rajoni ka sfida të përbashkëta si: krimi i organizuar, që nganjëherë është i ndërlidhur më shumë se ç’duhet të jenë shtetet të ndërlidhura me njëra-tjetrën; sfida e migracionit të paligjshëm, diçka që prek njërin shtet dhe më pas, si një efekt domino, prek të gjithë rajonin; dhe më pas kemi sfidën e ekstremizmit të dhunshëm, ku ne e pamë vite më parë sesi qytetarët tanë udhëtuan drejt zonave të konfliktit. Të gjitha këto janë sfida që asnjë shtet nuk është i imunizuar dhe janë sfida të cilat nuk mund të luftohen në vakuum, vetëm”.

Po ashtu Kuko tha se “bashkëpunimi ynë me rajonin e Ballkanit është i shkëlqyer dhe strukturat tona janë në bashkëpunim të vazhdueshëm me njëra-tjetrën si në nivel teknik  në nivel operacional, diplomatik dhe patjetër, vullneti politik është i plotë për të patur një Ballkan të integruar në BE. Megjithatë duhet kuptuar se ne duhet t’i qasim sfidat në mënyrë të përbashkët, sepse vetëm kështu do të mund të arrijmë që rajoni i Ballkanit të kthehet në vëmendjen që meriton në gjenden europiane”.

Kuko falënderoi edhe partnerët ndërkombëtarë SHBA/BE.

“Një falënderim të posaçëm partnerëve tanë ndërkombëtarë, vendeve të BE-së, që na mbështesin. Një falënderim për DASH, i cili nuk ka qenë kurrë larg nesh në momentet më të vështira për rajonin tonë, për vendet tona”, – tha ajo.

Më tej, Kuko theksoi se angazhimi i Shqipërisë për të bashkëpunuar mbetet i plotë.

“Angazhimi ynë do të ngelet i plotë, si për të bashkëpunuar me kolegët e rajonit tonë në Ballkanin Perëndimor, ashtu dhe për të përmbushur kriteret e kërkuara nga BE, lidhur me proceset integruese”.

Në fund, Kuko falënderoi të gjitha ato vende që ofruan ndihmë për Shqipërinë pas goditjes nga tërmeti i 26 nëntorit, që shkaktoi 51 viktima, qindra të lënduar dhe la mijëra njerëz të pastrehë.

“Solidariteti i tyre pa kushte dhe i menjëhershëm, na rikujtoi dhe një herë se sa i rëndësishëm është të kesh një partneritet të fortë dhe të sinqertë”, tha ajo. /r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakUniversiteti i Mjekësisë rinis mësimin më 6 janar, shkak dëmtimet nga tërmeti
Artikulli tjetërDervishi për revistën britanike “Privacy Laws and Business”: Zyra e Komisionerit e angazhuar fuqimisht në procesin e integrimit europian