TIRANË, 22 nëntor /ATSH/ – Në ambientet e Bashkisë Kuçovë, u zhvillua takimi i kryetarit të Bashkisë Kreshnik Hajdari me përfaqësuesit e lartë të kompanisë Sherwood Ltd , e cila kryen aktivitetin e nxjerrjes së hidrokarbureve në territorin e Bashkisë Kuçovë.
Delegacioni i kompanisë Sherwood Ltd, kryesohej nga Xingyun Sun, CEO (Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i kompanisë).
Në këtë takim palët u njohën reciprokisht me profilet e organizmave që përfaqësojnë, arritjet dhe problematikat respektive dhe u fokusuan te aktualiteti i marrëdhënieve dypalëshe.
Palët në këtë takim shprehën dëshirën, vullnetin dhe gatishmërinë që kjo marrëdhënie të forcohet e të konsolidohet në të ardhmen, duke gjetur rrugë dhe fusha të pashkelura të bashkëpunimit në sektorë si arsimi, infrastruktura publike, kultura e fusha të tjera me interes reciprok.
Në përfundim të këtij takimi, palët vlerësuan rëndësinë e vendosjes së komunikimit në nivelet e larta dhe shprehën gatishmërinë që kjo urë bashkëpunimi dhe ndërveprimi të jetësohet në takime e tryeza të tjera.






















