TIRANË, 30 shtator /ATSH – I. Vata/ Bashkia Bulqizë hap qendrën e parë sociale, në shërbim të personave me nevoja të ndryshme.
Kjo qendër u mundësua falë bashkëpunimit midis Zyrës së Punës dhe asaj të Shërbimit Social në bashkinë Bulqizë, me mbështetjen e “Albsig” dhe “Albchrome”.
Bashkia, sqaron se qendra do të ofrojë shërbime ndaj grupeve në nevojë, si fëmijëve me aftësi të ndryshme dhe familjeve në nevoje, ndërkohë, në të ardhmen do të shtrijë aktivitetin edhe në shërbime ndaj moshës së tretë dhe veteranëve të Luftës.
“Një grup prej dhjetë kursantësh dhe një specialist kuzhine do të gatuajnë çdo ditë për fëmijët me aftësi ndryshe dhe që frekuentojnë qendrën, si edhe në një ditë të javës, për familjet apo grupe shoqërore në nevojë, të identifikuar nga Drejtoria e Shërbimit Social në bashkinë Bulqizë”, shprehet bashkia.
Po ashtu bëhet e ditur se, funksionimi i qendrës do të zgjasë deri në fund të muajit dhjetor të këtij viti.
Kryetari i bashkisë Bulqizë Lefter Alla, u bën thirrje organizatave, bizneseve dhe individëve që kanë mundësi për të kontribuar, me qëllim që kjo mundësi të ofrohet për një kohë edhe më gjatë. /a.g/























