TIRANË, 10 shtator /ATSH/ Ekspertë nga Agjencia e Pagesave dhe Ministrisë së Bujqësisë së Lituanisë do të trajnojnë stafin e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) përgjatë një jave mbi menaxhimin e parregullsive, rrezikut dhe mashtrimit në programin IPARD II.
Ky trajnim i organizuar nga “TAIEX” (Instrumenti i Asistencës Teknike dhe Shkëmbimit të Informacionit) synon të ngrejë mekanizma mbi planifikimin e një strategjie vigjilente, me anë të së cilës do të trajtohen problematikat dhe parregullsitë që lindin prej mashtrimeve në dokumentacion.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) është institucioni që ka për mision zhvillimin agrokulturor dhe rural në Shqipëri duke mbështetur sipërmarrësit në sektorin ushqimor, përgatitjen e institucionit për përfitimin e fondeve nga buxheti i Bashkimit Evropian, ristrukturim, modernizim dhe specializim në produktet dhe tregjet specifike bazuar në avantazhet konkurruese të vendit.
AZHBR, si një institucion i akredituar për administrimin e fondeve nga BE, është fokusuar në zhvillimin e një bujqësie të qëndrueshme dhe diversifikimin e ekonomisë rurale, nëpërmjet granteve që përftohen nga Buxheti i Shtetit, Bashkimi Europian, Banka Botërore dhe Qeveria suedeze. /e.xh/j.p/












