Ballina Flash

Sot, Dita Botërore e Shkrimit dhe Leximit

TIRANË, 8 shtator/ATSH/- Dita Ndërkombëtare e Shkrimit dhe Leximit, e cila festohet çdo vit më 8 shtator ka për qëllim që të rrisë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar në lidhje me problemin e analfabetizmit, i cili fatkeqësisht si proces është prezent në shumë shoqëri.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë nënvizon rëndësinë e kësaj dite, sipas së cilës thuhet se shkrimi dhe leximi është çelësi i suksesit në çdo shoqëri.

“Sot është Dita Botërore e Shkrimit dhe Këndimit! Kjo ditë nënvizon rëndësinë që ka njohuria për të shkruar dhe lexuar për individët, komunitetet dhe kombet. Aftësia për të lexuar është rruga e shkëlqimit akademik dhe një çelës suksesi në çdo shoqëri demokratike. Tema e Ditës Botërore të Shkrimit dhe Këndimit këtë vit është “Shkrimi, këndimi dhe shumëgjuhësia”, -thotë ambasada Amerikane.

8 shtatori u shpall nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) në vitin 1967 si Ditë Ndërkombëtare e Arsimimit me qëllim që çdo vit në këtë datë të theksohet rëndësia e shkrimit dhe leximit në jetën e individit dhe shoqërisë në tërësi. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFoto/ Tirana jo vetëm e pastër, por edhe gjelbëruar
Artikulli tjetërFRANCË – Parisi: Rrugët e dialogut janë gjithnjë të hapura për Iranin