TIRANE, 11 Maj /ATSH/ – Një emocion i rrallë do të përshkojë mbrëmjen e nesërme shqiptarët anë e mbanë botës, të cilët do të jenë të gjithë para ekranit për të ndjekur finalen e madhe të “Eurosong 2018’, pasi në skenë do të ngjiten tre shqiptarë, si rrallëherë më parë.
Finalja e madhe e këtij eventi mjaft të rëndësishëm të këngës, do të mbahet mbrëmjen të shtunës në Lisbonë të Portugalisë, ku i pari nga shqiptarët që do të ngjitet në skenë është Eugent Bushpepa.
Bushpepa përfaqëson Shqipërinë në ‘Eurovision’ dhe do të performojë i 12 në radhë me këngën ‘Mall’.
Pas tij, e 25 në radhë do të jetë këngëtarja me origjinë shqiptare, Eleni Foureira, e cila përfaqëson Qipron. Ndërsa i fundit do të ngjitet në skenë shqiptari Ermal Meta, i cili përfaqëson Italinë së bashku me Fabrizio Moro, ndërsa do të mbyllë dhe garën.
Ermal Meta dhe Fabrizio Moro në natën e dytë gjysmë finale me këngën “Non Mi Avete Fatto Niente” ka emocionuar publikun dhe edhe pse u këndua italisht në të e kanë gjetur veten thuajse të gjithë.
Kjo bën që shqiptarët të kenë më shumë shpresa për të festuar mbrëmjen e nesërme, pasi urojmë që njëri prej tre shqiptarëve të fitojë çmimin e madh./a.a/ /a.g/
https://eurovision.tv/story/exclusive-running-order-eurovision-2018-grand-final
https://www.youtube.com/watch?time_continue=1&v=6DkbBEjGKtg





























