TIRANË, 9 maj/ATSH/- “Dita e Europës” në Tiranë u festua me përurimin e “Parkut të Europës”.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Chrisitan Danielsson, Ambasadorja e BE Romana Vlahutin si dhe përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Europian në vendin tonë mbollën pemë në lulishten e re pas monumentit të Heroit Kombëtar në sheshin “Skënderbej” duke sjellë një copëz Europe në zemër të Tiranës.
Veliaj deklaroi se ky park i ri përfaqëson ambicien europiane të qytetarëve të vendit tonë.
“Arsyeja pse e ka parku ‘Europa’ është se është ngjitur me sheshin ‘Skëndërbej’, sepse unë besoj që ambicia jonë europiane daton që në kohën e Skënderbeut, ose ndoshta edhe më tej. Edhe nga ana e urbanistikës, pjesën e zhurmës, të qejfit dhe rrëmujës e kemi në shesh, pjesën e paqes dhe qetësisë dhe të rregullit e kemi te ‘Parku i Europës’”, – tha Veliaj, teksa shtoi se kthimi i këtij sheshi dhe i kësaj hapësire që kanë qenë para deri një viti hapësira më e madhe për makinat, është tashmë një hapësirë e kushtuar totalisht për njerëzit.
Kreu i bashkisë deklaroi se Tirana është në pararojë e integrimit europian të Shqipërisë dhe se transformimi i saj në një qytet europian është përmbushja e ambicies sonë europiane. Veliaj nënvizoi se edhe vetë bashkia e Tiranës përfaqëson në një farë mënyre Bashkimin Europian, pasi shumë prej atyre që sot punojnë për të implementuar projekte të ndryshme në qytet kanë sjellë së bashku eksperiencat e tyre si studentë apo emigrantë në Europë.
Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Christian Danielsson vlerësoi faktin që një hapësirë që më parë ishte dedikuar për makinat, sot është kthyer në një hapësirë që me pemët e ndryshme e mbjella rishtazi do të përfaqësojë familjen e madhe europiane në Tiranë.
“Po qëndroj këtu në këtë pjesë të sheshit e cila më përpara ishte dedikuar vetëm për makina, tashmë është shndërruar në një zonë për këmbësorët, pra dhe në një mënyrë shumë simbolike duke përcjellë mesazhin ‘Europa e bashkuar në diversitet’ sepse nëse i shihni pemët kuptoni se nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën. Është një kombinim perfekt i pemëve që vijnë nga vendet anëtare”, – tha Christian Danielsson. Ai shtoi se pas disa vitesh ku park do jetë kthyer në një pyll të Europës në Tiranë.
Bashkë me sheshin “Skënderbej”, Tirana bëhet një nga kryeqytetet më unikë në Ballkan me një sipërfaqe tepër të konsiderueshme në qendër të tij e kushtuar tërësisht për qytetarët.
Më herët, kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj priti në një takim të veçantë Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Chrisitan Danielsson me të cilin bisedoi rreth projekteve transformuese të qytetit të Tiranës si dhe mundësisë së bashkëpunimit në fusha të ndryshme ku Tirana mund të përfitojë.
Në shenjë miqësie dhe bashkëpunimi mes dy qyteteve, Veliaj i dorëzoi Chrisitan Danielsson “Çelësin e Qytetit”. Në kuadër të “Ditës së Europës”, rrugë të ndryshme të kryeqytetit si dhe vetë godina e bashkisë së Tiranës u dekoruan me flamujt e vendeve të Bashkimit Europian. z.tosku/ /a.g/



























