PRISHTINË, 25 maj /ATSH/ – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kujtoi 20-vjetorin e rënies së dëshmorëve të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, pastaj 21-vjetorin e masakrës në Lybeniq dhe përvjetorin e rënies së Fadil Nimanit.
Haradinaj tha se shumë bijë të kësaj toke me gjak kanë shkruar faqet e lavdishme të historisë sonë.
“Kujtojmë me krenari, në 20-vjetorin e rënies, dëshmorët e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, të cilët ranë për t’u përjetësuar në themelet e shtetit tonë të lirë. Po sot, kujtojmë 21-vjetorin e masakrës në Lybeniq, ku u ekzekutuan anëtarë të familjes Hamzaj, Alimehaj e Gogaj. Në luftën çlirimtare, vend lavdie zë bashkëluftëtari im, Heroi i Kosovës, Fadil Nimani, i cili përjetësisht do të kujtohet për atdhedashurinë dhe qëndresën e palëkundur”, tha Haradinaj.
Shefi i ekzekutivit kosovar tha se përulemi me nderimet më të larta para veprës së tyre kulmore në shërbim të atdheut dhe kombit. /KosovaPress/





















