DOHA, 19 maj /ATSH-DPA/ – Katari inauguroi stadiumin e parë të sapondërtuar për Kupën e Botës 2022, ”Al-Wakrah” që, i mbushur plot e përplot, priti finalen e Amir Cup.
Stadiumi, në jug të kryeqytetit Doha, është i dizenjuar në formën e një varke të asaj zone dhe ka një kapacitet prej 40 000 spektatorësh.
“Na bën krenar të shohim një stadium të tillë në Katar. Al-Wakra është një nga stadiumet më të bukur,” tha Youssef, një student 20-vjeçar që po shikonte ndeshjen në stadium.
“Unë jam shumë i impresionuar me atë që kam parë deri më tani”, tha ish-futbollisti holandez Ronaldus De Boer para ndeshjes.
“Është një stadium i bukur … tifozët janë afër fushës, të gjithë kanë një pamje të mrekullueshme në fushë në mënyrë që ata të mund të përfshihen gjatë lojës, kështu duhet të jetë”, shtoi ai.
“Ka shumë punë për t’u bërë sigurisht, por ky është një hap tjetër drejt Kupës së Botës. Jam shumë i bindur se do të jenë gati në kohë’’, u tha ai gazetarëve.
Mais Rabie, 26 vjeç, nuk mundi të marrë një biletë në fillim sepse ishin shitur, por një nga miqtë e saj kishte një biletë tepër.
“Unë isha me fat që arrita të marr një biletë në minutën e fundit. Hapja ishte e mahnitshme, unë nuk jam një tifoze e madhe e futbollit, por u ndjeva mirë që isha këtu në stadium “, tha Rabie, e cila kishte veshur një ferexhe.
Të tetë stadiumet që do të përdoren gjatë kampionatit do të kenë ajër të kondicionuar në mënyrë që të rregullojnë temperaturën në fushë dhe në tribuna, një domosdoshmëri edhe pse Kupa e Botës është zhvendosur për në muajt më të ftohtë si nëntori dhe dhjetori.
Megjithatë, Katari është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut për kushtet e punës së punëtorëve të projekteve që lidhen me kampionatin.
Gianni Infantino, presidenti i FIFA, shpreson në rritjen e numrit të skuadrave pjesëmarrëse nga 32 në 48.
Kjo do të kërkonte që një tjetër vend të priste ndeshjet të kampionatit, Kuvajti dhe Omani konsiderohen si të mundshme për të pritur katër ndeshje.
Tre fqinjë të tjerë të gjirit Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Bahreini dhe Egjipti, po e bojkotojnë vendin për shkak të akuzave, të mohuara nga Doha, për mbështetje të terrorizmit./ /os/ a.jor.





















