PRISHTINE, 4 maj/ATSH/- Grupi i arbëreshëve të Italisë është pritu të shtunën nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili foli për Prishtinën, numrin e banorëve, kulturën, hyjneshën në fron dhe të tjera.
Ahmeti u tha se ata janë në shtëpinë e tyre dhe se do të përpiqen të bashkëpunojnë dhe ndihmojnë në ruajtën e traditës dhe gjuhës.
“Konsiderojmë që keni ardhur në shtëpinë tuaj, ju falënderojmë që keni ruajtur traditën e gjuhën dhe i falënderojmë arbëreshet për çka kanë dhënë për kulturën shqiptare me shkrime e këngë… jemi të gatshëm t’u ndihmojmë me krejt çka kemi për të ruajtur kulturën e traditën, qoftë përmes librave e shqip apo përmes sjelljes së ansambleve të ndryshme nga Prishtina e Kosova, si edhe përmes mikpritjes për nxënës apo studentët, kushdo që dëshiron të njoh Kosovën”, tha ai.
Ndërsa Afrim Bekteshi, zëvendësministër i Diasporës tha se Kosova shpreh mirënjohje për arbëreshët të cilët e ruajtën gjuhën e traditën.
“Institucionet e Kosovës, lokale e qendrore janë duke iu pritur ballë hapur në shenjë mirënjohje dhe respekti, për kontributin dhe sakrificën tuaj ndër shekuj për të ruajtur identitetin, që përmes ruajtës së gjuhës arbëreshe keni ruajtur çdo gjë që është shqiptare”, tha ai.
Ai tha se arbëreshet e Italisë janë diaspora e parë shqiptare dhe frymëzim për diasporën e re të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar.
Në emër të arbëreshëve, foli Noe Andrea, kryetar i komunës në Pulia.
“Dua të falënderoj për pritjen e ngrohtë me të cilën jemi jashtëzakonisht të prekur gjatë këtyre ditëve. Siç tha kryetari mund të tingëllojë e çuditshme që Kosova t’i vijë në ndihmë komunitetit të caktuar në Itali, në fakt nuk është aspak e çuditshme, ka vlerë shumë të madhe ndihma që Qeveria e Kosovës i dhuron komunitetit arbresh në Itali. Edhe pse jemi një numër i madh 50 komunitete, ne nuk jemi shumë, edhe gjeografikisht nuk jemi të gjithë të koncetruar në një zonë, ky bashkëpunim i ofruar dhe deklaruar nga qeveria ka edhe një funksion tjetër, po na bashkon edhe ne si komuna sepse nuk jemi gjeografikisht afër. Na jep mundësi të mund të diskutojmë bashkë me ju, na jep mundësi të vjen në pah që shpirti vëllazëror që na ka mbajt gjallë të ruajmë traditën tonë deri tash”, tha ai. /KosovaPress/












