Ballina Flash

Kosovë/ Komuna Skenderaj, bursa për 164 studentë

PRISHTINE, 13 prill/ATSH/- Komuna e Skenderajt me një ceremoni solemne që u mbajt sot në Amfiteatrin e Qendrës së Kompetencës, ndau bursa për 164 studentë të kësaj komune. Kjo është hera e parë që një numër kaq i lartë studentesh përfshihen në skemën e ndarjes së bursave.

Kryetari Bekim Jarashi deklaroi se bursa ka vlerën e 500 eurove. Ai tha se është i vetëdijshëm që nuk është e mjaftueshme, por tregon një shenjë të interesimit të vazhdueshëm ndaj studentëve.

“Nuk dua të bëjë garë më askënd, por me krenari e them së kurrë në këto 20 vite, nuk është shpërblyer kaq numër i madh i studentëve sesa tani. 164 studentë, 164 bursa. Së bashku me përfaqësues të bizneseve në komunën tonë dhe njerëz të vullnetit të mirë, po bëjmë një punë të mirë, sa u përket bursave. Ne jemi të vetëdijshëm se shuma prej 500 eurove për bursë studentore, nuk është e mjaftueshme, por është një shenjë e interesimit të vazhdueshëm që kemi ndaj jush”, deklaroi Jashari.

Kreu i Skenderajt deklaroi se arsimi mbetet në krye të prioriteteve të qeverisjes së tij, ndërsa tha se synojnë që vitin e ardhshëm të ketë numër më të madh të studentëve që do të përfitojnë bursa.

“Qeveria lokale në Skenderaj ka në krye të prioriteteve arsimin. Është viti i dytë që unë jam në krye të Komunës, ku kam dëshmuar me argumente të prekshme mbështetjen e pakursyer për arsimin në përgjithësi dhe për studentë në veçanti”, vijoi Jashari.

Duke folur për largimin e të rinjve jashtë vendit, Jashari tha se në plane afatgjate kjo paraqet rrezikun më serioz për të ardhmen e Kosovës. Ai tha se pret shumë nga studentët pasi janë e ardhmja e shtetit dhe shtylla kryesore e zhvillimit të vendit.

Ndryshe, në këtë ceremoni të organizuar morën pjesë edhe struktura të tjera komunale nga Skenderaj, deputeti dhe i Parlamentit, Bekim Haxhiu, përfaqësuesit e bizneseve, njerëzit e vullnetit të mirë që kanë ndarë bursa, dhe qytetarë./KosovaPress/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMajko në SHBA, takon shefin e FMN-së për Shqipërinë
Artikulli tjetërDy binjaket e lindura në spitalin e Dibrës, përfitojnë çekun e bebes