TIRANË, 11 prill /ATSH-A.ALLA/ – “Kam pasur shpresë që ky vend do bëhet shtet. Shumica e qytetarëve shqiptarë mendojnë që ne nuk kemi bërë shtet pasi ne nuk jemi republikë serioze, por republikë rrumpallë. Nuk ka shans që në një republikë normale të hysh me një furgon brenda aeroportit ndërkombëtar të vendit”, tha deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari në fjalën e saj në Kuvend.
Sipas saj, nëse nuk identifikohen autorët e kësaj grabitjeje dhe nëse nuk konfiskohen paratë e vjedhura, duhet që ministri Lleshaj të japë dorëheqjen. “Nëse unë do isha ministër në vendin tuaj zoti Lleshaj, do jepja dorëheqjen”, – tha Hajdari.
Në këtë kuadër, ajo i kolegëve të opozitës që sot të hedhin firmat dhe të kërkojnë interpelancën me Ministrinë e Brendshëm brenda javës që vjen.
“Në seancën e ardhshme ministri duhet të jetë këtu dhe të japë llogari për sa i përket rendit publik dhe situatës së sigurisë kombëtare. Presidenti duhet të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare në mënyrë urgjente, sepse e kërkon situata emergjente që sot po kalon vendi, pasi nuk ka më siguri për jetët e qytetarëve që hipin në një avion për të udhëtuar. Sot kufijtë e Shqipërisë janë të pasigurt”, – tha Hajdari.
“Shqiptarët po përballen me një krizë të thellë institucionale, politike dhe shoqërore. Raporti që është paraqitur sot përbën një raport që është shkruar nga disa burokratë”, – u shpreh deputetja e Partisë Demokratike Rudina Hajdari gjatë seancës parlamentare ditën e sotme.
“Po të kujtojmë qershorin e 2018 Këshilli i Bashkimit Europian dha deklaratë dhe na paraqiti ne detyra parimore për Shqipërinë në mënyrë që të rishqyrtonin dhe një herë kërkesën për çeljen e negociatave”, – tha Hajdari.
Ajo shtoi se, “raporti i Këshillit të Ministrave tregon që ne jemi version më i mirë që kemi qenë ndonjëherë dhe me rezultate të jashtëzakonshme. Unë mendoj që këto që thotë raporti nuk qëndrojnë, sepse Këshilli i Bashkimit Europian në raportin që i bëri Shqipërisë i tregoi qartë që vendi ka 5 probleme kryesore”.
“Këto problem duhet të kishin patur arritje gjatë këtij viti por nuk ka ndodhur duke renditur dështimin kryesor të qeverisë që është zero rezultat në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet e administratës”, – theksoi Hajdari.
Hajdari shtoi se, “një çështje tjetër me rëndësi është ajo e Reformës në Drejtësi. Edhe pse reforma është etiketuar si arritje e madhe gjatë 28 viteve të fundit. Kjo reformë nuk ka arritur asgjë të prekshme për qytetarët deri sot, dhe nuk kemi parë një afat konkret për finalizimin e krijimit të organeve të specializuara, siç është ai i strukturës speciale antikorrupsion kundër krimit të organizuar’’.
“Të gjitha këto problem tregojnë një rezultat të qartë të degradimit të shtetit shqiptar në kthetrat e korrupsionit dhe keqpërdorimit të burimeve shtetërore për përfitime elektorale”, – përfundoi deputetja e Partisë Demokratike Rudina Hajdari. /j.p/












