TIRANË, 10 prill /ATSH/ – 74 rezervime online janë bërë për marrjen e targës së preferuar të automjetit, në ditën e parë të ofrimit të shërbimit të ri, ku aplikuesi zgjedh live targën që dëshiron.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), njofton se shërbimi i ri i targave të veçanta me sistemin online, në ditën e parë të shërbimit ka pasur një reagim pozitiv nga ana e qytetarëve pranë sporteleve të DPSHTRR.
Sipas DPSHTRR, targat e veçanta për automjetet ndahen në dy kategori, ku në kategorinë A i përkon tarifa prej 30.000 lekë dhe përmban targat si 001, 007 dhe tre numrat e njëjtë 111, 222, …, 999.
Ndërsa në kategorinë B, me një tarifë prej 20.000 lekësh, përmban targat që fillojnë me dy zero përveç 001 dhe 007. Pra nga 002, 003, …, 009. Po ashtu targat që mbarojnë me dy zero 100, 200, …, 900 dhe targat me dy numrat anësorë njësoj, pra që kanë zero në mes 101, 202, …, 909.
DPSHTRR njofton se aplikuesi zgjedh live nga inventari i serive të prodhuara.
Fondi i targave furnizohet periodikisht dhe informacioni publikohet rregullisht për këtë.
Pagesa kryhet në sportel në momentin e regjistrimit të mjetit në afate të caktuara, sipas çdo detaji në sistemin e ri online.
e.xh/ /a.g/












