TIRANË, 6 Mars /ATSH – I. Vata/ – Jemi këtu për të asistuar në një operacion të përbashkët të Inspektoriatit të Mjedisit, përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës dhe Policisë Bashkiake në kuadër të operacionit tonë “Të Pastrojmë Shqipërinë që Duam”, deklaroi sot Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi ndërsa po monitoronte një qendër të grumbullimit të skrapit në Tiranë
Në një prononcim për mediat, Klosi në vijim u shpreh se “Janë plot 180 pika grumbullimi mbetjesh të skrapit në Tiranë, të gjitha janë vënë në një sitë monitorimi dhe evidentimi të të gjithë problematikave. Janë evidentuar të gjitha ato që janë jashtë kushteve mjedisore dhe janë në kundështim me të gjitha rregullat mjedisore, pika të cilat jo vetëm grumbullojnë të gjitha mbeturinat e qytetit, por zhvillojnë aktivitetin e tyre brenda zonave të banuara”.
Me tej, ai shtoi se “Rasti konkret është një pikë që po evidentohet dhe po shikohen të gjitha problematikat. Këtë aksion e kemi ndërmarrë për të pastruar qytetet tona. Nuk është një aksion që zhvillohet vetëm në Tiranë, por do të zhvillohet në të gjithë Shqipërinë”.
“Ne nuk kemi në fokus heqjen e licencave, por kriteret e reja të zhvillimit të aktivitetit të ndershëm në përputhje me lejet mjedisore”, shpegon Klosi.
Në fund, Klosi tha se “Ajo që do të ritheksoja është se sot erdhi nga opozita mbështetja për paligjshmërinë, por ne jemi këtu të mbeshtesim biznesin e ndershëm me kushtet mjedisore dhe zhvillimin e këtyre bizneseve jashtë zonave të banuara, pasi është e pafalshme që qyteti të bashkëjetojë me plehrat”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike nëpërmjet drejtuesit të Departamentit të Mjedisit Jamarbër Malltezi, i cili akuzon për afera me impiantet e plehrave.
“Afera 178 milionë euroshe e impianteve është një nga aferat më korruptive. Të tre djegësit e plehrave, në Elbasan, Fier dhe Tiranë janë nën administrimin e Klodian Zotos, sekserit të Arben Ahmetajt”, shprehet ai.
Sipas Malltezit, “Partia Demokratike ka siguruar dokumentacionin e plotë, se Klodian Zoto është bërë administrator edhe i kompanisë së riciklimit të mbetjeve në Tiranë”. /r.e/











