Ballina Lifestyle

Dior prezanton krijimet e reja në Dubai

TIRANË, 19 mars/ATSH/ – Diori prezantoi në Dubai koleksionin e tij të fundit “haute couture” në mesin e  shumë “fashionist”-ësh, figurash të medies sociale, yjesh, blerësish, stilistësh e gazetarësh.

Ishte shfaqja e parë atje e shtëpisë së famshme franceze të modës, e cila e kishte paraqitur fillimisht në Paris gjatë muajit janar koleksionin e saj “Pranverë-Verë 2019”.

Atij të Dubait iu shtuan edhe 15 krijime të reja, të stiluara posaçërisht për preferencat e publikut arab.

Afishimi i luksit dhe një vijë horizonti me tipare futuriste, ishin sfondi ideal për spektaklin e drejtueses kreative të gjigantit të modës, Maria Grazia Chiuri.

Dubai, ku “Bugatti”-t dhe miliarderët janë një pamje e zakontë, ka fituar reputacionin e një qyteti të apasionuar pas “glamour”-it dhe projekteve madhështore, si kulla më e lartë e botës, apo rrjeti i pafund i hoteleve me 5 yje e “spa”-ve.

Joshje kërkoi të përcillte edhe Chiuri me fustanet e lirshëm rrezëllitës, kapelat që kujtonin pak helmetën apo këpucët me shkëlqim.

“Sa më shumë shëtis botën, aq më shumë bindem se femrat janë njësoj gjithandej. Sigurisht ka shumëllojshmëri shijesh, por ajo për të cilën po flas është personaliteti”, tha Maria Grazia Chiuri.

Fakti që Dior mbërriti në Dubai tregon, sipas disa personaliteteve vendase, se Emiratet e Bashkuara Arabe po i bëjnë vetes një vend në hartën e modës.

/e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFSHF ndryshon listën e U-21, portieri Selmani grumbullohet me ekipin e parë
Artikulli tjetërBE – Barnier: Çdo shtyrje e Brexit ka kosto politike dhe ekonomike