Ballina Ekonomi

Ulen me 1,5% çmimet e mallrave të importit

TIRANË, 6 mars /ATSH/ – Një monedhë e fortë, është shenjë e një ekonomie të forcuar, por është edhe arsye e rënies së çmimeve për mallrat e importit.

Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot raportin mbi “Indeksin e Çmimeve të Importit, T4 – 2018”, ku citon se “Indeksi i Çmimeve të importit u ul me 1,5 % në tremujorin e katërt 2018 në krahasim me tremujorin e katërt 2017, gjithashtu u rrit me 0,6 % krahasuar me tremujorin e tretë 2018”.

Sipas INSTAT, çmimet e importit të produkteve në aktivitetet e industrisë përpunuese, e cila zë peshën më të madhe në indeksin e Çmimeve të importit, kanë shënuar ulje me 1,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Ndërsa ndikim kryesor në këtë rënie e kanë dhënë çmimet e importit të produkteve në aktivitetet ”Përpunimi i produkteve ushqimore” me 3,2 %, “Prodhimi i makinerive dhe pajisjeve P,K,T” me 4,7 %.

Krahasuar me tremujorin e katërt 2017, çmimet e importit të produkteve në aktivitetin “Përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” kanë shënuar rritje me 6,7 %.

Sipas ekspertëve luhatjet e çmimeve brenda pritshmërive të Bankës së Shqipërisë kanë diktuar zgjerimin e konsumit dhe të investimeve në biznese, trend i cili po vijon edhe gjatë këtij tremujori të vitit 2019. e.xh/e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSgarbi: Rama krijoi një parti të bukur dhe fitoi
Artikulli tjetër“Austro-Hungaria dhe Shqipëria 1916-1918”, botimi më i ri në Muzeun Historik Kombëtar