Ballina Ekonomi

Taskforcë për kontrollin e veprimtarisë minerare

TIRANË, 4 mars /ATSH/- Ministria e  Infrastrukturës dhe Energjisë, ka angazhuar taskforcën e saj, së bashku me strukturat përgjegjëse që monitorojnë dhe kontrollojnë, zbatimin e ligjit minerar në çdo aspekt të veprimtarisë minerare.

Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për shpalljen e ekosistemit Krastë – Verjon, “Peizazh i mbrojtur”, si dhe Urdhrit të Kryeministrit “Për ngritjen e Taskforcës për zbatimin e kërkesave dhe standardeve ligjore lidhur me veprimtaritë për shfrytëzimin minerar brenda territorit të peizazhit të mbrojtur natyror “Krastë-Verjon”, Krujë”, bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit mes 4 ministrive, grupet e inspektimit të MIE kontrolluan  dhe vlerësuan subjektet minerare për: Kushtet e zbatimit të projektit teknik dhe lejen minerare; Respektimin e koordinatave të lejes minerare; Investimet e kryera nga subjekti në zbatim të kushteve të lejes minerare; Pagesat e garancisë për rehabilitimin mjedisor; Investimet e kryera për rehabilitimin mjedisor; Kontrollin e sigurisë teknike dhe mbrojtjen e jetës së punonjësve; Sigurinë e sistemit të transmetimit të linjave të tensionit të lartë.

Grupet e punës të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kanë ushtruar kontroll në bashkëpunim edhe me grupet e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Ekonomisë e Financave dhe Ministrisë së Brendshme.

Grupet e inspektimit në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, AKBN, OST dhe AKSEM, kanë përfunduar materialin e plotë të kontrollit duke dhënë dhe konkluzionet përkatëse për çdo subjekt që ushtron aktivitet minerar në zonën “Krastë-Verjon”, Krujë.

Në secilin prej 12 subjekteve është mbajtur aktkonstatimi përkatës, ku është evidentuar gjendja aktuale e objekteve minerare, problematikat për secilin prej tyre.

Pas përfundimit të kontrollit rezultoi se subjektet që ushtrojnë aktivitet minerar në zonën e shpallur pejsazh i mbrojtur natyror Krastë-Verjon, nuk kanë zbatuar rigorozisht projektin teknik të hapjes dhe shfrytëzimit të objekteve minerare duke krijuar probleme të sigurisë teknike dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Bazuar në konkluzionet e grupit të kontrollit, si dhe në zbatim të ligjit nr. 10304, datë 15.07.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për të 12 subjektet që ushtrojnë aktivitet në zonën e shpallur peisazh i mbrojtur, është marrë vendimi për fillimin e procedurës së revokimit të lejes minerare. /e.xh//j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKanalizim i investimeve të diasporës në ekonominë shqiptare
Artikulli tjetërKoordinator Kombëtar për negociatat e pensioneve të diasporës