TIRANË, 4 mars /ATSH/- Inspektoriati shtetëror i mbikëqyrjes së tregut ka forcuar masat për rritjen e sigurisë së lodrave që tregtohen në vend.
ISHMT bën të ditur se, ka nisur kontrollet e biznesve që operojnë në fushën e tregtimit të lojërave për fëmijët dhe do të kontrollojë të gjithë tregtarët që importojnë dhe tregtojnë lodra që të plotësojnë kriteret e sigurisë dhe garancisë konsumatore.
Ndër kriteret që duhet të plotësojnë këta tregtarë të lodrave janë: të mbajë markimin CE të konformitetit, të shoqërohet nga deklarata e konformitetit (EC Declaration of Conformity), të shoqërohet nga dokumentacioni teknik. Dokumentacioni teknik duhet të mundësojë vlerësimin e konformitetit të produktit me kërkesat ligjore në lidhje me të dhe duhet të përfshijë një analizë dhe vlerësim të përshtatshëm të risqeve; Udhëzimet në (gjuhën shqipe) për përdorimin, si: mosha, kufizimet, etj., dhe për mirëmbajtjen;
ISHMT bën të ditur se, inspektorët u janë nënshtruar trajnimeve në këtë fushë, që të jenë më të përgatitur për të mbikëqyrur sigurinë e lodrave duke përdorur pajisje/instrumenta kontrolluese.
Qëllimi i ISHMT është mbrojtja e konsumatorëve nga lodra të pasigurta dhe që nuk përputhen me kërkesat ligjore që parashikohen në legjislacionin aktual. e.xh/j.p/




















