TIRANË, 13 janar/ATSH-A. Fortuzi/- Helikopteri “Cougar” i Forcës Ajrore është duke zhvilluar në këto momente operacionin e dislokimit të 8 mësuesve të bllokuar nga dëbora në zonën e Thethit dhe Shalës, në qarkun Shkodër.
Prefekti i Shkodrës, Çesk Millja i kontaktuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare bëri të ditur se helikopteri “Cougar” i ardhur nga Tirana tashmë duhet të jetë ulur në zonat ku janë arsimtarët dhe shumë shpejt ato do të jenë në Shkodër.
“Pikë së pari dua të sqarojë publikun se për arsimtarët nuk ka asnjë rrezik për jetën apo të problemeve shëndetësore. Ato thjesht kanë mbetur të izoluar në ambientet arsimor të zonave në fjalë. Unë jam këtu me drejtorin e Arsimit të Shkodrës dhe përfaqësues të gjithë institucioneve të interesuara dhe po ndjekim hap pas hapi lëvizjet e helikopterit të kërkuar nga ne te Ministria e Mbrojtjes.
Helikopteri “Cougar” është më i madhi dhe me dy fluturime mund të realizojë marrjen dhe transportimin e të tetë arsimtarëve. 5 në Bregun e Lumit, Njësia Administrative Shalë, 2 arsimtarë janë në Theth dhe 1 mësues është në fshatin Nihmë. Helikopteri për hir të së vërtetës ka mbërritur shumë shpejt në Shkodër fillimisht, ku iu dhanë koordinatat dhe informacionet e plota për vendndodhjen e arsimtarëve dhe tashmë është në zonën ku janë arsimtarët. Ne po i presim dhe ti dërgojmë në familjet e tyre”, – tha Millja për ATSH.
























